Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Spanja fiton Botërorin e futbollisteve për herën e parë

Spanja është fituese e Botërorit për futbolliste. Këtë sukses, spanjollet e arritën për herën e parë në histori të dielën, pasi fituan në finale kundër Anglisë me rezultatin 1:0.

Golin e vetëm në takimin që u zhvillua në “Olympic Stadium” të Sydneyt në Australi, e shënoi mbrojtësja e Real Madridit, Olga Carmona Garcia, në minutën e 29-të.

Epërsia e Spanjës do të mund të rritej edhe më shumë, por sulmuesja e Pachucas, Jenifer Hermoso, dështoi të realizonte nga penalltia.

Fazën grupore, Spanja e kaloi nga vendi i dytë kur në tri ndeshje mblodhi gjashtë pikë. Grupin C e kishte fituar Japonia me nëntë pikë, ndërsa Zambia e Costa Rica ishin larguar herët nga Botërori. Në 1/8 e finales, Spanja e eliminoi Zvicrën pas fitores 5:1. Më pas në çerekfinale fitoi 2:1 ndaj Holandës, kurse në gjysmëfinale fitoi përballë Suedisë së Kosovare Asllanit, 2:1. Anglia shkëlqeu në Grupin D duke arkëtuar nëntë pikë nga tri ndeshje dhe duke e fituar grupin.

E dyta ishte Danimarka me gjashtë pikë, ndërsa Kina e Haiti u eliminuan. Anglia deri në finale eliminoi Niegrinë 1:0, Kolumbinë 2:1, dhe Australinë 3:1 në gjysmëfinale. Australia dhe Zelanda e Re ishin nikoqire të Botërorit për futbolliste në edicionin e nëntë. Edicionin e parë të organizuar në Kinë e kishin fituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja ka katër trofe të Botërorit, ndërsa ishte fituese edhe e dy edicioneve të fundit. Dy trofe të Kupës së Botës i ka Gjermania, Norvegjia ka triumfuar një herë, ndërsa një herë fituese ka qenë edhe Japonia. Spanja bëhet shteti i pestë i ndryshëm që e fiton Botërorin e futbollisteve.

 

Artikuj të ngjashëm