Nënkampionia e Kosovës në futboll, Drita, do të përballet me skuadrën shqiptare nga Mali i Zi, Deçiqi, ndërsa Llapi përballë do ta ketë ekipin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Shkupin.
Shorti i tërhequr të martën në Nyon të Zvicrës vendosi përballë katër skuadra shqiptare në kuadër të Ligës së Konferencës.
Kundërshtarët i kanë mësuar edhe skuadrat e tjera shqiptare që për nga numri janë rekord. 11 skuadra shqiptare kanë mësuar kundërshtarët e tyre për edicionin e ri të garave evropiane.
Si te Drita, ashtu edhe te skuadra shqiptare nga Mali i Zi e kanë mirëpritur përballjen. Ndeshja e parë e raundit të parë të Ligës së Konferencës do të luhet në Mal të Zi.
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani thotë se janë me fat që do të përballen me Deçiqin.
“E shohim një ndeshje interesante dhe me fat, pasi do të përballemi ndaj një skuadre shqiptare. Kjo është përparësi për ne, pasi mund të marrim informacione më të sakta për mënyrën se si luajnë ata, e gjithashtu edhe për faktin që do të luajmë në një vend që nuk na e komplikon udhëtimin. Ne presim që të kompletohemi si skuadër dhe të zhvillojmë së pari një fazë të mirë përgatitore, e më pas ta përgatisim ndeshjen ndaj tyre, ku besojmë se kemi kualitet për të kaluar tutje”, ka thënë Limani të martën për KOHËN.
Ndërkohë, njëri ndër lojtarët më të mirë te klubi i Deçiqit, Kristian Vulaj thotë se kanë respekt për Dritën, por synojnë fitore.
“Mund të themi se jemi të kënaqur që na doli Drita si kundërshtare. Kemi respekt maksimal për të. E dimë shumë mirë për arritjet e saj në vitet e fundit. Por, do të përgatitemi mirë që ta fitojmë këtë ndeshje”, është shprehur Vulaj për KOHËN.
Për Dritën është edicioni i tretë që merr pjesë në garat evropiane, ndërsa është skuadra kosovare që ka rezultate më të mira në Evropë. Ka arritur të kalojë deri në rundin e tretë të kualifikimeve të Ligës së Evropës. Në rundin e tretë u ndal nga skuadra e madhe polake, Legia e Varshavës. Për Deçiqin është hera e parë që merr pjesë në garat evropiane.
Liga e Konferencës është niveli i tretë, që është shtuar prej këtij edicioni.
Për herë të parë pjesëmarrës në Evropë është edhe Llapi. Fituesi i Kupës do të përballet me Shkupin, ndërsa trajneri Tahir Batatina pret fitore.
“Nuk do të jetë sfidë e lehtë për ne, por do të bëjmë maksimumin dhe të përgatitemi mirë deri në ndeshje, duke analizuar çdo detaj të skuadrës kundërshtare. Kam besim te lojtarët, sepse kam një super skuadër me djem që luajnë me zemër, luajnë për fanellën dhe ngjyrat e Llapit. Nuk i frikësohemi asnjë skuadre dhe do të synojmë të bëjmë një paraqitje dinjitoze, duke u munduar t’i mbrojmë ngjyrat e shtetit të Kosovës”, ka thënë Batatina. Në ditën kur Llapi e ka mësuar kundërshtarin në Ligën e Konferencës, ua ka vazhduar kontratën shtatë lojtarëve kryesorë të skuadrës. Kapiteni Bujar Idrizi, pastaj Benjamin Emini, Arbnor Ramadani, Elvis Prençi, Ardit Peposhi, Kushtrim Shabani dhe Edon Zeqiri, kanë firmosur me klubin nga Podujeva edhe për një vit.
Tutje synojnë të shkojnë edhe te Shkupi. Drejtori sportiv, Omer Bunjaku, insiston se edhe në Kosovë do të luajnë si në shtëpi.
“Jemi të kënaqur me shortin, pasi luajmë në Kosovë dhe do të jemi pothuajse vendas edhe atje. Luajmë kundër një ekipi që e njohim shumë mirë dhe e respektojmë maksimalisht, por shkojmë për fitore dhe besojmë fuqishëm që do të kalojmë në rundin e dytë”, ka thënë Bunjaku për KOHËN.
Shkupi do të jetë vendas në ndeshjen e parë, ndërsa loja e dytë luhet në Prishtinë.
Ndërkohë, kundërshtarët i kanë mësuar edhe skuadrat e tjera shqiptare që do të marrin pjesë në garat evropiane në edicionin 2021/2022. Këtë vit shqiptarët përfaqësohen me plot 11 klube në garat evropiane.
Vllaznia e Shkodrës do të ketë punë me ekipin boshnjak, Shiroki Brijeg, derisa Partizani i Tiranës do të takohet me Sfintul Gheorghe të Moldavisë. Laçi përballë do ta ketë Podgoricën.
Skuadra tjetër shqiptare, Struga, do të takohet me ekipin e Letonisë, Liepaja. Ndeshjet e para të rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës do të luhen më 8 korrik, ndërsa ato të kthimit pas një jave.
Ndërkohë, është hedhur shorti edhe i rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Prishtina ka mësuar kundërshtarin e mundshëm në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Fituesi i rundit preliminar të Championsit takohet me Ferencvaroshin hungarez. Ndeshjet gjysmëfinale të rundit preliminar janë: Folgore (San Marino) - Prishtina dhe HB Torshavn (Ishujt Faroe) – Inter (Andorra). “Bardhekaltrit” më 22 qershor do t’i nisin parakualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Kampionia e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës, do të takohet me skuadrën sllovene Mura, kurse kampionia e Shqipërisë, Teuta e Durrësit, do të përballet me Sherif Tiraspolin. Ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues janë më 6/7 korrik dhe të kthimit pas një jave.