Sport

Llapi, Drita dhe Gjilani i vlerësojnë kundërshtarët, por presin kalim tutje

Fituesi i Kupës së Kosovës në futboll, Llapi, nuk do të ketë udhëtim të gjatë për t’u paraqitur në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Larg nuk udhëtoi as vitin e kaluar, kur u përball me Shkupin. Llapjanët në debutim ishin eliminuar në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Skuadra e Tahir Batatinës këtë herë luan në një tjetër vend fqinj – në Mal të Zi. Përballë Llapit do të jetë klubi më i madh malazias, Buduqnosti i Podgoricës.

Te Llapi synojnë paraqitje më të mirë se në debutimin evropian. Llapjanët u janë gëzuar ndeshjeve me Buduqnostin.

Të martën kundërshtarët e rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës

i kanë mësuar edhe nënkampionia, Drita, dhe Gjilani.

Trajneri i Llapit, Batatina, ka thënë se ka futbollist me potencial për ta kaluar Buduqnostin.

“Nuk është skuadër për t’u nënvlerësuar. Ka pasur rezultate të mira, ndërsa ne duhet ta bëjmë më të mirën. Duhet ta japim maksimumin dhe përparësi mund të them është që ndeshjen e kthimit e luajmë në shtëpi. Duhet ta japim maksimumin pasi kemi të bëjmë me një kundërshtar që ka mentalitetin e njëjtë. Afërsia na ndihmon shumë. Në bazë të ekipit që kemi dhe përforcimeve, kemi potencial për të ecur tutje”, ka thënë Batatina për KOHËN.

Ai pret që ndeshja e kthimit të luhet në “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Ndeshja e parë luhet më 7 korrik në Podgoricë, ndërsa e kthimit pas një jave.

“Llapi besoj se do të luajë në ‘Zahir Pajaziti’. Kemi bërë kërkesë për licencim të stadiumit, ndërsa Federata ka mbetur të marrë miratimin nga organet e UEFA-s. Jemi në përfundim të punimeve për të plotësuar kushtet e kërkuara. Besoj se 10 ditë para ndeshjes do të jetë gjithçka në rregull. Jemi tri skuadra që ndeshjet e kthimit do t’i luajmë si vendas dhe do të jetë problem, pasi aktualisht vetëm ‘Fadil Vokrri’ i plotëson kriteret. Por besoj se edhe ‘Zahir Pajaziti’ i plotëson kushtet për t’u luajtur ndeshjet në këtë nivel garash”, është shprehur Batatina.

Drita, si një prej skuadrave bartëse në short, do të përballet me ekipin nga Finlanda, Inter Turku. Ndeshjen e parë skuadra gjilanase do ta luajë në udhëtim. Në udhëtim fillimisht do të luajë edhe Gjilani. Gjilani do ta ketë përballë ekipin nga Letonia, Liepaja.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka theksuar se kundërshtari duhet respektuar.

“Në këto nivele çdo skuadër ka cilësitë dhe vlerat e veta, prandaj kundërshtari ynë meriton respekt maksimal dhe një analizë të detajuar. Kemi kohën e mjaftueshme për të analizuar ekipin Inter Turku, pasi që Kampionati në Finlandë është ende duke u zhvilluar. Kjo na mundëson që të marrim edhe më tepër informacione për kundërshtarin tonë dhe ne të vazhdojmë punën e përgatitjet", ka thënë Nuhiu.

Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani, e sheh të kalueshëm Liepajan e Letonisë.

“Është një kundërshtar që duhet respektuar në këtë fazë të garave. Kemi filluar mbledhjen e informacioneve për kundërshtarin edhe pse kemi pak njohuri pasi që kemi parë ndeshjen me Strugën në edicionin e kaluar. Do të përgatitemi sa më mirë për këto dy ndeshje dhe presim që të kalojmë këtë rund të garës. Qëllimi është të shkojmë sa më larg”, ka thënë Ramadani për KOHËN. Për Gjilanin është hera e dytë që merr pjesë në garat evropiane.

Kundërshtarët i kanë mësuar edhe skuadrat e tjera shqiptare.

Kampionia e Shqipërisë, Tirana, në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve do ta ketë përballë ekipin nga Luksemburgu, Diddeleng. Ndërsa kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, do të luajë me ekipin nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps.

Laçi në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës do të përballet me skuadrën nga Mali i Zi, Iskra Danilovgrad. Partizani i Tiranës do të luajë me klubin e Gjeorgjisë, Saburalo. Shkëndija e Tetovës përballet me Ararat Yerevanin e Armenisë.

Kurse Deçiqi i Tuzit në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës takohet me skuadrën nga Bjellorusia, Dinamo Minsk.