Prej 11 skuadrave shqiptare nga katër vende, vetëm tri prej tyre kanë mbetur ende në garat evropiane të këtij edicioni. Këtë edicion, garat evropiane i nisën Ballkani, Drita, Llapi e Gjilani nga Kosova, pastaj Tirana, Vllaznia, Laçi e Partizani nga Shqipëria, Shkëndija dhe Shkupi nga Maqedonia e Veriut, ndërsa Deçiçi nga Mali i Zi.
Ballkani nga Kosova dhe Shkëndija e Maqedonisë së Veriut, kanë siguruar kalimin në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, që është gara e tretë për nga niveli i garave që organizon UEFA. Ndërkaq, kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkupi është në rrethin e tretë të Ligës së Evropës, pas eliminimit në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve. Shkupi u mënjanua nga Dinamo e Zagrebit dhe në rrethin e tretë të Ligës së Evropës do të takohet me Shamrockun e Irlandës. Kampioni i Kosovës, Ballkani do të luajë në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës kundër ekipit nga Ishujt Faroe, Klaksvik. Ndeshja e parë luhet në Prishtinë te enjten, kurse e kthimit pas një jave. Derisa Shkëndija do të takohet me AIK-un e Suedisë. Te enjten zhvillohet ndeshja e parë në Suedi, kurse pas një javë ne Shkup përcaktohet ekipi që kualifikohet në plejofin e Ligës së Konferencës. Për të arritur në këtë fazë, Ballkani deklasoi La Fioritan e San Marinos duke e mposhtur me rezultatin e përgjithshëm 10:0. Ekipi nga Suhareka u zhvendos në Ligën e Konferencës pas dështimit në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ku u eliminua në rundin e parë nga Zhalgirisi i Lituanisë.
“Kemi pasur fat në short, por edhe fatin duhet ta meritosh. Të gjithë e kemi përjetuar rëndë eliminimin nga Zhalgirisi, pasi në dy ndeshjet na mungoi fati për shkak se treguam paraqitje të mira dhe dëshmuam se meritonim të avanconim tutje. Mirëpo, u eliminuam dhe nuk patëm shumë kohë të vuajmë, sepse e patëm parasysh se do të duhet të vazhdojmë tutje për shkak se do të na hapej rruga në Ligën e Konferencës”, ka insistuar kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuçi.
Shkëndija eliminoi Ararat Yerevanin e Armenisë dhe Valmeiran e Letonisë. Për dallim prej Shkupit e Ballkanit, që startuan në Champions, Shkëndija garat i nisi në Ligën e Konferencës. Kosova për herë të parë u paraqite me katër skuadra në garat evropiane këtë edicion: Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Konferencës. Llapi dhe Gjilani u eliminuan qysh në rundin e parë të Ligës së Konferencës. Llapi u eliminua nga Buduqnosit i Malit të Zi, kurse Gjilani nuk ia doli të kalojë Liepajan e Letonisë.
Nënkampionia Drita kaloi rrethin e parë duke e mposhtur Inter Turkun e Finlandës me rezultat të përgjithshëm 3:1. Por, në rrethin e dytë ishte Antëerpi i Belegjikës që doli më i suksesshëm. Drita barazoi 0:0 në Antwerp, por humbi në Prishtinë 2:0.
Skuadrat nga Shqipëria, Tirana, Vllaznia, Partizani dhe Laçi, të gjitha janë jashtë garave evropiane. Partizani e mbylli aventurën në rrethin e parë të Ligës së Konferencës, duke mos ia dalë që ta kalojë Saburtalon e Gjeorgjisë. Ekipi shqiptar kishte fituar në ndeshjen e parë si mysafir 1:0, por u befasua në shtëpi duke humbur 2:0 për t’u eliminuar. Ndërkohë, në rrethin e dytë “ngelën” Tirana, Vllaznia dhe Laçi.
Edhe
Verë e zbehtë për klubet kosovare në Evropë
Kampionia Tirana së pari u eliminua në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Dudelange. Ekipi shqiptar i humbi të dy ndeshjet dhe me rezultat prej 3:1 mbylli garat në Champions për të vazhduar në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës. Gjërat nuk shkuan mbarë as në këtë garë, pasi qysh në start dështoi. Humbi nga Zrinjski i Bosnjë e Hercegovinës. Tutje nuk ia doli që të vazhdojë as Vllaznia e Shkodrës. Shkodranët humbën nga Craiova e Rumanisë 3:0 në ndeshjen e kthimit, derisa dueli i parë ishte mbyllur 1:1. Laçi u deklasua nga Petrocubi i Moldavisë në shtëpi 4:1, duke e bërë të pavlefshëm barazimin si mysafir. Në rrethin e parë të Ligës së Konferencës është eliminuar edhe ekipi shqiptar nga Mali i Zi, Deçiçi. U mënjanua nga Dinamo Minsku me rezultat të përgjithshëm 3:2. Ky ishte numri më i madh i klubeve shqiptare që morën pjesë në garat evropiane brenda një sezoni.
Suksesin më të madh në Evropë deri më tani e ka arritur Skënderbeu i Korçës, që dy herë u paraqit në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Shkëndija kishte dështuar dy herë në plejof të kësaj gare.