Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Dështimi i ekipeve shqiptare në kupat evropiane

Llapi

Ballkani i Suharekës e kishte përballë kundërshtarin më të lehtë të mundshëm në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në ndarjen ku ishte Ballkani, skuadra nga Andorra, UE Santa Coloma, ishte e fundit prej jo bartëseve. Ballkani ishte bartës në short dhe rrjedhimisht favorit i madh.
Kampioni i Kosovës kishte telashe të mëdha edhe në ndeshjen e parë në Andorrë, të cilën megjithatë e fitoi 2:1. Kjo e vendoste në pozitë shumë të favorshme për ndeshjen e kthimit. Por të martën në Podujevë, Ballkani humbi 1:0 në kohën e rregullt, 2:1 në vazhdime e 6:5 në penallti. Dhe kështu u eliminua nga Championsi, njëjtë si në dy vjetët e kaluar. 

Ballkani do ta vazhdojë rrugëtimin në kualifikimet e Ligës së Konferencës, por kjo nuk e arsyeton dështimin në Champions. 

Ballkani ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë verës dhe kjo mund të ketë pasur ndikimin më të madh në paraqitjen e zbehtë ndaj UE Santa Coloma, që ndaj Ballkanit shënoi fitoren e parë në skenën evropiane, pas 17 humbjeve rresht.

Lojtarët bartës të Ballkanit janë larguar në javët e fundit nga skuadra, duke përfshirë kapitenin Edvin Kuç, pastaj Armend Thaqin, Nazmi Gripshin, Lumbardh Dellovën, Meriton Korenicën, Lorenc Trashin e disa të tjerë. Lojtarë të tjerë, një pjesë cilësorë, kanë ardhur te skuadra e Ilir Dajës, por në Champions u dëshmua se skuadra nuk është ende gati.

“Ditë historike për futbollin e Andorrës. UE Santa Coloma është ekipi i parë nga Andorra që do të paraqitet në raundin e dytë kualifikues të Championsit”, shkruan në një njoftim të Federatës së Futbollit të Andorrës.

Edhe Jashanica: Eliminim i dhimbshëm Futboll Jashanica: Eliminim i dhimbshëm

Suksesi historik i ekipit andorras e ka edhe anën tjetër të medaljes – dështimin e madh të kampionit kosovar.

Raundi i parë kualifikues i Championsit ishte i pakalueshëm edhe për tre kampionët e tjerë shqiptarë. Kampionia e Shqipërisë, Egnatia e Rrogozhinës u eliminua në penallti nga Borci i Banjallukës, ekipi serb që prezanton Bosnjë-Hercegovinën. Kampioni i Malit të Zi, Deçiqi i Tuzit humbi me rezultat të përgjithshëm 4:1 nga The  New Saints i Uellsit. Struga e Maqedonisë së Veriut i humbi dy ndeshjet nga kampioni sllovak, Slovan Bratislava.

Të gjithë katër kampionët shqiptarë e vazhdojnë rrugëtimin në Ligën e Konferencës. Por dështimi në Champions, madje edhe me rivalë inferiorë, mbetet.

Më mirë nuk kanë kaluar as skuadrat tjera të shumta shqiptare që u paraqitën në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.

Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, që është niveli i dytë, u paraqit Llapi.

Llapjanët përballë e kishin skuadrën e famshme polake, Wisla Krakow. Por Wisla aktualisht luan në kategorinë e dytë të Polonisë. Megjithatë doli të jetë shumë e fortë për Llapin. Fitoi 2:0 në ndeshjen e parë në Poloni dhe 2:1 të enjten në “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Edhe për Llapin ngushëllues mund të jetë fakti që vazhdon në Ligën e Konferencës, mundësi që UEFA e ka krijuar për më shumë paraqitje për skuadrat e vendeve të vogla e rrjedhimisht edhe më shumë para.

Edhe Bën bujë eliminimi i Ballkanit nga amatorët e Andorrës Futboll Bën bujë eliminimi i Ballkanit nga amatorët e Andorrës

Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës u paraqit Malisheva. Për malishevasit ishte debutim në kupa evropiane, por jo i suksesshëm. Në fakt Malisheva e fitoi 1:0 ndeshjen e parë ndaj Buduqnostit të Podgoricës, që si vendase e zhvilloi në Podujevë. Por të enjten mbrëma në Podgoricë, Malisheva humbi 3:0 nga Buduqnosti. Dhe u eliminua.

Në raundin e parë kualifikues janë eliminuar edhe Vllaznia e Shkodrës, Tirana e Shkëndija e Tetovës.
Raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës me sukses e ka kaluar vetëm Partizani i Tiranës. E mposhti me rezultat të përgjithshëm 3:2, skuadrën nga Malta, Masaxlokk. Golin e kualifikimit, Partizani e shënoi në minutën e 93-të të ndeshjes së dytë.

Në fakt marrë për bazë emrin e kundërshtarit, kualifikimi i Partizanit mund të llogaritet “detyrë e kryer”. Por duke parë bilancin e skuadrave të tjera shqiptare, kualifikimi i Partizanit edhe mund të konsiderohet sukses.

“I rëndësishëm është  kualifikimi. Kemi luajtur më mirë se në ndeshjen e parë. Kemi kërkuar golin gjatë gjithë kohës. Tani u kthehemi ndeshjeve të xhiros së dytë, me synim për të shkuar sa më larg”, ka thënë trajneri i Partizanit, Orges Shehi.

Raundi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës do të jetë i mbushur sërish me skuadra shqiptare. Drita e Gjilanit e fillon garimin prej këtij raundi, ndërsa përballë do ta ketë Breidablikun e Islandës. Ndeshja e parë është të enjten e ardhshme në Islandë, ndërsa e kthimit më 1 gusht në Podujevë.
Llapi luan me Brondbyn danez, ndërsa ndeshja e parë e llapjanëve është në udhëtim po ashtu.

Partizani luan me skuadrën gjeorgjiane Iberia. 

Edhe Turpërohet Ballkani, eliminohet nga Championsi Futboll Turpërohet Ballkani, eliminohet nga Championsi

Ballkani luan me skuadrën nga Malta, Hamrun Spartans. Egnatia përballet me Vikingurin e Islandës, Struga me Pyunikun e Armenisë, kurse Deçiqi me Dinamo Batumin e Gjeorgjisë.

Mbetet të shihet nëse suksesi do të jetë më i madh se në raundin e parë kualifikues.