Tifogrupi “Skifterat” ka falënderuar Florim Zukën, i cili të hënën ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i presidentit te klubi i Gjilanit. Në njoftimin e tij, Zuka ka thënë se po largohet për shkak se nuk e ka arritur qëllimin kryesor, titullin e kampionit.
Zuka ishte president i Gjilanit për pesë vjet e gjysmë, periudhë gjatë të cilës ekipi siguroi pjesëmarrjen dy herë në garat evropiane dhe një herë doli nënkampion i Kosovës.
“Nuk është një lamtumirë, por vetëm një mirëupafashim, sepse njerëzit si ti nuk mund të largohen asnjëherë nga klubi. Pavarësisht të gjithave, ne të falënderojmë për kontributin e jashtëzakonshëm dhe gjithçka që dhe për këtë klub. Ashtu siç pate mbështetjen e “Skifterave” para dhe gjatë rrugëtimit tënd, të presim për të gjetur alternativën e re, e cila do të vjen në klub dhe do të na mbaj nderin e qytetit, ashtu siç është edhe motoja jonë”, thuhet në reagimin e “Skifterave”. “Kemi besim te ty, që klubin do të lësh në duar të sigurta dhe nuk do të largohesh pa ndonjë zgjidhje. Faleminderit president Florim Zuka dhe mirupafshim!”.