Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, nuk u ka dhënë pushim lojtarëve të tij, pavarësisht suksesit të arritur të premten mbrëma.
Shqipëria barazoi në udhëtim te Moldavia 1:1 dhe e siguroi kualifikimin në Kampionatin Evropian.
“Kuqezinjtë” kanë udhëtuar menjëherë pas ndeshjes për në Tiranë, ndërsa të shtunën, futbollistët kanë dalë në fushë për t’u përgatitur për duelin ndaj Ishujve Faroe.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe zhvillohet të hënën në “Air Albania” në Tiranë.
Shqipëria në Grupin E kualifikues ka 14 pikë në shtatë ndeshje, dy më shumë se Republika e Çekisë.
Polonia e treta në tetë ndeshje ka 11 pikë. Moldavia ka 10 pikë në vendin e katërt në shtatë ndeshje, kurse Ishujt Faroe janë në vendin e fundit me një pikë.
Edhe
Shqipëria vazhdon përgatitjet për duelet kualifikuese
“Në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, Kombëtarja zhvilloi seancën stërvitore në kuadër të ndeshjes ndaj Ishujve Faroe. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në stërvitje ishin të pranishëm të gjithë lojtarët. Futbollistët e aktivizuar si titullarë në sfidën ndaj Moldavisë u stërvitën vetëm në palestër, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve pas punës në palestër, dolën në fushë dhe u stërvitën rregullisht nën urdhrat e trajnerit Sylvinho. Ekipi gëzon formë të mirë dhe nuk ka asnjë problem fizik”, shkruan Federata Shqiptare e Futbollit.
Po ashtu është njoftuar se tjetër stërvitje do të zhvillohet të dielën.
Ndërkohë, përzgjedhësi brazilian dhe kapiteni Berat Gjimshiti, do të jenë të pranishëm në konferencën për shtyp në orën 17:15.