Përfaqësuesja e Shqipërisë po vazhdon përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të “Euro 2024” që do t’i zhvillojë këtë muaj. Të mërkurën përzgjedhësi Sylvinho ka mbajtur dy seanca stërvitore edhe pse ende nuk e ka grupin të plotë. Kjo është dita e tretë e grumbullimit të Shqipërisë në prag të dueleve me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Sylvinho kishte në dispozicion vetëm 16 futbollistë, të cilët krahas ushtrimeve fizike në palestër kanë punuar edhe me top. Ditëve në vijim pritet që Sylvinho ta ketë të kompletuar grupin, pasi braziliani për ndeshjet e këtij muaji ka ftuar hiç më pak se 26 futbollistë. Mungon mesfushori Klaus Gjasula për shkak të lëndimit.
“Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet në ditën e tretë të grumbullimit për dy ndeshjet zyrtare të kualifikueseve të ‘Euro 2024’ ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe”, ka njoftuar FSHF-ja, duke shtuar se gjithçka ka shkuar normalisht dhe nuk ka pasur probleme fizike për lojtarët. “Grupi është në pritje për t’u plotësuar edhe me lojtarët e tjerë që janë në listën me 26 emra në ditët në vazhdim”.
Shqipëria përballet me Moldavinë më 17 qershor, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Ndërsa, tri ditë më vonë do të luajë në udhëtim kundër Ishujve Faroe. Të dyja ndeshjet i takojnë Grupit E kualifikues, në të cilin Shqipëria ka vetëm një ndeshje të zhvilluar deri më tani në këtë cikël. Në muajin mars u mposht në udhëtim 1:0 nga Polonia dhe aktualisht zë vendin e fundit në grup pa pikë.
Grupit i prinë Çekia me 4 pikë, e përcjellë nga Polonia (3) dhe Moldavia (2), por që kanë nga një ndeshje më shumëtë zhvilluar. Ndërkohë, Ishujt Faroe kanë vetëm një pikë pas një ndeshjeje të luajtur deri më tani. Te Shqipëria shpresat janë të mëdha se do të marrin pikët e plota prej këtyre dy përballjeve, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të jenë në garë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian që mbahet vitin tjetër në Gjermani. Mediumet në Shqipëri kanë raportuar se Sylvinho pritet që ndaj Moldavisë të aplikojë një lojë edhe më sulmuese sesa kundër Polonisë. Thuhet se braziliani po e përgatit ekipin për të luajtur me sistemin 3-4-3, duke pasur parasysh se Moldavia është një kundërshtar që mbyllet prapa. Në dy ndeshjet e para të këtij cikli që i luajti në muajin mars, Moldavia ka marrë dy barazime dhe të dyja në shtëpi. Luajti 1:1 kundër Ishujve Faroe dhe 0:0 ndaj Çekisë.