Futbollistëve të Shqipërisë u mjafton vetëm një pikë përballë Moldavisë për ta siguruar kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani. Por përzgjedhësi i kuqezinjve, braziliani Sylvinho pret përkushtim maksimal nga lojtarët e tij ndaj moldavëve.
Ai në konferencën e fundit para ndeshjes ndaj Moldavisë u ka kërkuar lojtarëve të futen në fushë për ta fituar ndeshjen.
Takimi Moldavi – Shqipëri luhet të premten prej orës 18:00 në Chisinau të Moldavisë dhe i takon Grupit E kualifikues për “Euro 2024. Shqipëria është lidere me 13 pikë, ndërsa Çekia në vendin e dytë me 11 pikë. Polonia e treta me dhjetë pikë, derisa Moldavia në vendin e katërt me nëntë pikë. Ishujt Faroe janë pa gjasa, renditen të fundit me vetëm një pikë të mbledhur. Megjithatë, Sylvinho të enjten ka insistuar se si Shqipëria ashtu edhe Moldavia në këtë përballje do të futen për fitore.
“Unë mendoj se të dyja skuadrat e nisin ndeshjen për fitore. Nëse dy ekipe barazojnë dhe nëse ajo ndodh ekipet nuk janë të afta të fitojnë, pra barazimi është pasojë e lojës. Nuk menaxhohet ndeshja për një pikë. Të dyja ekipet vijnë në këtë sfidë për fitore. Është një fitore për ne. Moldavia është ekip i fortë, në shtëpi ka fituar me Poloninë dhe ka barazuar me Çekinë”, ka thënë Sylvinho.
Shqipëria të enjten pasdite zhvilloi stërvitjen e fundit para ndeshjes ndaj moldavëve. Sylvinho e vlerëson të vështirë duelin ndaj Moldavisë.
Edhe
Sylvinho kërkon përqendrimin maksimal para dy “finaleve”
“Nuk mendojmë në përparësi. Moldavia është një skuadër e fortë, fizike. Nuk ka pësuar humbje në shtëpi dhe të dy ekipet futen në fushë për fitore dhe jo për barazim. Nuk do të ketë ndryshim strategjie, ekip i fortë në lojën në ajër dhe goditje standarde. Por edhe ne jemi cilësor në fazën sulmuese. Duhet të kemi shumë kujdes ndaj kundërshtarit, e dimë rëndësinë e këtij takimi. Jemi 100% të fokusuar vetëm te Moldavia dhe duhet fituar ky takim, është një finale për ne që duhet fituar”, ka deklaruar Sylvinho.
Trajneri brazilian ka insistuar se Shqipëria ende nuk e ka ende të sigurt kualifikimin në Evropian. Duelin me Moldavinë, Sylvinho e ka cilësuar si finale që duhet fituar.
“Në futboll të dyja skuadrat luajnë për të fituar, barazimi do të ishte thjesht një pasojë, ekipin tim e kam parë në formë të mirë, lojtarët punojnë me seriozitet, janë të ndërgjegjshëm dhe e dinë që asgjë nuk ka mbaruar. Katër ekipe janë në garë për kualifikim. Avantazhi ynë është se jemi më mirë në renditje dhe kemi shumë punë për të bërë akoma për të siguruar objektivin final. Nesër na pret një finale që duhet ta fitojmë” deklaroi Sylvinho.
Përkrah Sylvinhos në konferencë ishte edhe kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti. Gjimshiti kujton fitoren ndaj Armenisë, që ia siguroi Shqipërisë kualifikimin në “Euro 2016”. Por Gjimshiti nuk u përfshi në ekipin që mori pjesë në “Euro 2016”. Ai shpreson ta ndihmojë Shqipërinë edhe të premten për ta konfirmuar kualifikimin.
“Jemi shumë afër, por po bëjmë punën e duhur për të menaxhuar mirë entuziazmin dhe presionin, në mënyrë që të bëjmë edhe aq sa na ka mbetur për të realizuar ëndrrën që kemi ne, të shkojmë në Evropian”, ka thënë Gjimshiti.
Ai pranon se edhe ndeshja e dytë ndaj Moldavisë do të jetë e vështirë. Të parën, të luajtur në Tiranë, Shqipëria e fitoi me rezultatin 2:0.
“Ka qenë shumë e vështirë, si në të gjitha ndeshjet. Ne kemi vuajtur shumë edhe në ndeshjen e parë ndaj tyre dhe u zhbllokuam në minutën e 60-të me atë gjuajtje perfekte të Asanit. Megjithatë, e kemi vlerësuar maksimalisht këtë takim, për të marrë më të mirën dhe shpresoj t’ia dalim”, ka theksuar Gjimshiti.
Gjimshiti ka theksuar se synimi i vetëm ndaj moldavëve është fitorja.
Edhe
Sylvinho insiston se Shqipëria ende nuk është kualifikuar në “Euro 2024”
“Ne luajmë gjithmonë për fitore dhe atë do të bëjmë edhe nesër. Shpresoj që t’ia dalim të marrim tri pikët, pasi jemi përgatitur shumë për të”, ka thënë Gjimshiti.
Shqipëria më 20 nëntor përballet me Ishujt Faroe. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Air Albania”. Ajo ndeshje pritet të jetë festive për kuqezinjtë.