Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria e vendosur për fitoren e parë

Ndeshjen me Moldavinë, selektori i Shqipërisë, Sylvinho, nuk e ka vlerësuar vetëm si kualifikuese për Evropian, por si ndeshje finale. Trajneri brazilian ka thënë se kjo është vetëm njëra prej shtatë finaleve që Shqipëria do t’i luajë deri në fund të ciklit eliminator për Euro 2024. Shqipëria të shtunën përballet me Moldavinë në duelin e Grupit E. Ndeshja luhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë prej orës 20:45.

Kuqezinjtë në mars humbën 1:0 në udhëtim te Polonia. Por paraqitja në Varshavë u vlerësua.

Ndërkohë, Moldavia barazoi 1:1 në shtëpi me Ishujt Faroe dhe 0:0 me Çekinë, po ashtu në shtëpi.

Sylvinho të premten në konferencë për shtyp ka thënë se kundër Moldavisë pret fitoren e parë në kualifikime. Gjithashtu pret edhe përkrahjen e madhe të tifozëve nga tribunat. Kjo është ndeshja e parë e Shqipërisë në shtëpi në këtë cikël eliminator dhe e para e Sylvinhos para tifozëve shqiptarë.

“Kemi shtatë finale dhe të shtunën është e para. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe jemi maksimalisht të motivuar dhe të përgatitur. Do ta kemi një ndihmë të madhe pasi luajmë në shtëpi dhe i kemi tifozët tanë që do ta mbushin stadiumin për të na përkrahur. Ekipi është mirë dhe gati për lojë”, është shprehur Sylvinho. Ndeshja ndaj Moldavisë synohet të shndërrohet në hap të parë drejt Evropianit.

Edhe Sylvinho beson në fitore ndaj Polonisë Futboll 4 muaj më parë Sylvinho beson në fitore ndaj Polonisë

“Ne nuk duhet të bëjmë mirë vetëm ndaj Moldavisë, por edhe në ndeshjet e tjera dhe e kemi parasysh se të gjitha janë të rëndësishme drejt objektivit tonë, i cili është kualifikimi në Kampionatin Evropian. Megjithatë dueli me Moldavinë është më i rëndësishmi për në këtë moment dhe lojtarët këtë e dinë dhe do të japin më të mirën nga vetja për pikët e plota”.

Sylvinho ka pranuar se Moldavia është ekip i mirë. Tekniku brazilian ka shtuar se Shqipëria duhet të tregohet e kujdesshme por edhe të aplikojë lojë sulmuese. Ai me padurim pret ta shohë ekipin duke luajtur.

“Do të dalim në fushë pas dy muajsh dhe sigurisht që e kam analizuar kundërshtarin. Moldavia është një ekip me lojtarë të rinj, aplikon futboll të shpejtë dhe këtë e kemi parasysh. Është ndeshja e vështirë për ne por kjo më pëlqen për shkak se tani kemi rastin për të dalë në fushë dhe për të shfaqur lojën tonë”, ka shtuar Sylvinho.

“Kemi një grup shumë të mirë që do të luaj fort dhe do të lë zemrën në fushë. Shqipëria ime është gati të bëjë një lojë të mirë dhe të marrë maksimumin”.

Selektori i Shqipërisë e ka në mendje formacionin për Moldavinë. Dilemën e vetme e ka për portën pasi ende nuk ka vendosur se me cilin portier të startojë – Etrit Berishën apo Thomas Strakoshën. Të dy kanë pasur telashe në edicionin e fundit. Sylvinho ka thënë se për portierin do të vendosë para ndeshjes, ndërsa ka insistuar se Berisha e Strakosha janë në nivel të barabartë dhe për këtë arsye ende nuk është përcaktuar.

Në konferencë për shtyp u paraqit edhe mbrojtësi i krahut, Esleid Hysaj, që do të jetë kapiten i Shqipërisë. Edhe Hysaj insistoi se do të dalin në fushë për ta fituar ndeshjen, duke pasur parasysh se synimi i Shqipërisë është kualifikimi në Evropianin në Gjermani.

“Moldavia ka një skuadër të mirë dhe ka treguar që ka cilësi në dy ndeshjet e këtij cikli eliminator. Megjithatë ne duhet të jemi të qetë në fushë, të bëjmë gjërat që i kemi bërë në stërvitje dhe t’i marrim pikët e plota. Nuk ka ndeshje të lehta në kualifikime dhe për këtë arsye duhet të jemi të përqendruar dhe të mos kursejmë asgjë nga vetja në fushë”, është shprehur Hysaj.

Edhe Kuqezinjtë kërkojnë lavdinë në Leskovc Futboll 9 muaj më parë Kuqezinjtë kërkojnë lavdinë në Leskovc

“Pritjet janë të larta jo vetëm për tifozët, por edhe për ne. Dëshira është të kualifikohemi në Evropian, por duhet të luftojmë në secilën ndeshje dhe të tregojmë që jemi grup i fortë. Nëse zbresim në fushë dhe luajmë si ndaj Polonisë atëherë ndaj Moldavisë do të kemi rezultat të favorshëm”.

Tri ditë pas ndeshjes në shtëpi me Moldavinë, Shqipëria do të luajë në udhëtim kundër Ishujve Faroe. Aktualisht grupit i prin Çekia me katër pikë të mbledhura, e ndjekur nga Polonia me tri.