Sport

Shqipëria fiton garën me Zvicrën për mbrojtësin e talentuar

Adrian Bajrami vlerësohet prej mbrojtësve më premtues në Zvicër. Por njëjtë tashmë mund të vlerësohet edhe nga Shqipëria.

Bajrami, 19-vjeçar, futbollin po e mëson te ekipi i të rinjve të klubit portugez Benfica. Dhe duket se ka vendosur që ta përfaqësojë Shqipërinë. Ai mori ftesë nga Përfaqësuesja U20 e Zvicrës së fundi. Por në të njëjtën kohë është ftuar edhe nga U21 e Shqipërisë e po ashtu edhe nga Përfaqësuesja A e Shqipërisë. Dhe ka vendosur për kuqezinjtë, përkatësisht për Përfaqësuesen A.

Se Bajrami do të luajë këtë muaj për Shqipërinë e kanë pranuar edhe në Federatën e Futbollit të Zvicrës.

Shqipëria të hënën në Barcelonë ka nisur përgatitjet për ndeshjen miqësore me Spanjën, që zhvillohet të shtunën. Sipas njoftimit të FSHF-së, të gjithë lojtarët e ftuar janë grumbulluar tashmë. Pra, edhe Bajrami.

Bajrami është edhe në listën e 23 lojtarëve të U20 të Zvicrës, që është grumbulluar për ndeshje me Rumaninë. Ai është zhvilluar në Akademinë e Young Boysit, ndërsa prej vitit 2018 është te Benfica. Tani po luan për ekipin U23, ndërsa stërvit herë pas here me ekipin senior.

Bajrami ka vendosur që të jetë pjesë e Shqipërisë A dhe të përballet me yjet e Spanjës në vend se të luajë me U20 të Zvicrës në miqësoren ndaj Rumanisë.

“Sipas informatave tona, Adrian Bajrami do të lëvizë te ekipi nacional i Shqipërisë”, kanë thënë nga Federata e Futbollit e Zvicrës për sajtin “20min.ch”.

Ky medium ka shkruar se Bajrami është ende opsion për Zvicrën. Me paraqitje në miqësore për Shqipërinë nuk e humb të drejtën për të luajtur për Zvicrën në të ardhmen. Por nëse luan ndeshje zyrtare, atëherë e drejta për të ndërruar përfaqësuese nuk ekziston.

Bajrami tashmë ka ndërruar përfaqësuese. Në mars të vitit 2019 i luajti dy ndeshje për Shqipërinë U19. Disa muaj më vonë luajti për U18 të Zvicrës.

Duket se është dashur të vinte ftesa nga Përfaqësuesja A që Shqipëria ta fitonte garën me Zvicrën për Bajramin. Mbrojtësi fillimisht ishte në listën e U21 të Shqipërisë e më pas në listën e Përfaqësueses A. Ai është ftuar për herë të parë në Përfaqësuesen A.

“Kemi edhe një të ri tjetër të vitit 2002, Bajramin e Benficas. Atë e kemi grumbulluar, ndonëse për momentin nuk ka ende pasaportë. Por po punojmë që ta marrë sa më parë dhe shpresojmë që ta marrë në kohë, në mënyrë që ta shohim në aksion”, ka thënë përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, të dielën.

Lista e Shqipërisë ka pësuar ndryshime të hënën. Në vend të Enea Mihajt dhe Nedim Bajramit, që kanë telashe shëndetësore, janë ftuar Herdi Prenga dhe Endri Çekiçi.

Shqipëria luan miqësore edhe me Gjeorgjinë javën tjetër.