Kryeredaktori i Kallxo.com, Kreshnik Gashi, ka thënë se vdekjet në dorë të shtetit në Kosovë kanë ndodhur në të kaluarën dhe vazhdojnë të ndodhin edhe sot.
Sipas tij, shteti nuk është duke reflektuar që t’i përmirësojë procedurat dhe të mbërrijë t’i trajtojë rastet e t’i nxjerrë para llogarisë përgjegjësit për vdekjet në dorë të shtetit.
Gashi në emisionin "tre8tre" ka folur edhe për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Ai ka thënë se Policia, në momentin e denoncimit të kërcënimit, nuk ka shkuar ta shikojë vendin e ngjarjes, nuk i ka trajtuar të gjitha rrethanat dhe nuk ka shkuar t’i marrë armët të cilat kanë qenë me leje.
“Ky rast na tregon për një dështim sistematik të mbrojtjes së viktimave, mbrojtjes së personave që kanë shkuar dhe kanë kërkuar ndihmë nga shteti për mbrojtje. Sot po bëhen dy javë prej kur ka ndodhur rasti dhe ne nuk kemi asnjë reflektim institucional që të trajtohet problematika e dhunës në familje dhe problematika që lidhet me rastin e Arlinda Zekajt. Ka një reagim impulsiv të Prokurorisë së Shtetit për t’i dërguar njerëzit në paraburgim, por problemet nuk janë zgjidhur”, ka thënë ai.
Gashi ka thënë se kryeprokurori duhet të nxjerrë një qëndrim që, kur pronari është në shtëpi dhe një tjetër futet aty pa lejen e tij, ai duhet të dëbohet dhunshëm nga Policia me urdhër të prokurorit dhe jo të shkojë në kontest civil, si në rastin e Arlinda Zekajt.
Sipas tij, në rastin e Arlinda Zekajt konstatohet se Policia është e paaftë t’i nxjerrë uzurpatorët nga shtëpia.
Për dorëheqjet dhe suspendimet, ai ka thënë se sërish problemi nuk është adresuar.
“Qeveria nuk e ka adresuar çështjen e vettingut në sistemin e drejtësisë, e sidomos në Polici. Policët që janë me integritet të kontestuar duhet të largohen nga Policia e Kosovës dhe kjo duhet të bëhet me veting. Kjo pasi ata kanë dalë të pafajshëm për shkak të hetimeve të dobëta të Prokurorisë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se po diskutohet shumë për rastin e Arlinda Zekajt, por shton se esenca e problemit është duke humbur.
Sipas tij, veprimet hetimore pas vrasjes kanë qenë shumë të ngadalshme.
Gashi ka folur edhe për rastin në Gjilan, ku dyshohet se u vranë babai 27-vjeçar dhe një foshnjë tre muajshe.
Sipas tij, institucionet po refuzojnë të japin të dhëna se çfarë ka ndodhur.
“Ajo çka duhet momentalisht të tregohet është që edhe Qendra për Punë Sociale e Gjilanit, edhe Gjykata e Prokuroria e Gjilanit duhet të na japin një sqarim të qartë se mbi cilat baza kanë vendosur ta kthejnë fëmijën te babai i vet. Asnjë shtet normal, për një person që ishte në burg dy muaj e pastaj trajtohej në Institutin e Psikiatrisë për përdorim të substancave narkotike, nuk mund të kthehet në shtëpi menjëherë e ta marrë nën kujdes një fëmijë. Ky është dështim i shtetit për ta mbrojtur një fëmijë. Nëse nëna nuk ka dashur ta marrë, shteti nuk është dashur ta kthejë te babai i vet. Rasti i Gjilanit e ka të njëjtën peshë, për të mos thënë edhe më të rëndë se të Arlindës”, ka thënë ai.
Sipas tij, në rastin e Gjilanit ka bllokadë totale për dhënien e informacionit.
Ka shtuar se edhe rasti i Gjilanit ka një barrë të madhe.
Gashi ka thënë se nuk është e rëndësishme se kush arrestohet, por kush e ka dhënë vendimin që ai fëmijë të kthehet atje.