Mbrojtësi Adrian Bajrami për kohë të gjatë ishte pjesë e Shqipërisë. Më 1 shtator, papritur, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se Bajrami më nuk do të grumbullohet me kuqezinjtë. 23-vjeçari vendosi të luante për Zvicrën, përfaqësuesen e vendit ku është rritur.
Pasi me Shqipërinë nuk kishte luajtur ndeshje garuese, Bajrami e kishte të drejtën e ndërrimit të përfaqësueses. Dhe e shfrytëzoi këtë të drejtë.
Zvicra e ftoi për ndeshjet e tetorit. Më 10 tetor ndaj Suedisë qëndroi në stol, ndërsa debutoi ndaj Sllovenisë më 13 tetor. Në ndeshjen e muajit të kaluar ndaj Kosovës sërish ishte në stol.
Por forma e Bajramit ka shkuar duke rënë prejse u ftua nga Zvicra. Për këtë ka shkruar të mërkurën mediumi i njohur zviceran “Blick”.
Bajrami po luan për Luzernin në Superligën e Zvicrës, ndërsa në fundjavë bëri gabim të rëndë në disfatën 3:1 nga Winterthuri. U zëvendësua në minutën e 64-t, që për një mbrojtës nuk është shumë e zakontë.
“Blick” ka shkruar se Winterthuri nuk po i sjell fat Bajramit. Ndaj kësaj skuadre kishte gabuar rëndë edhe në ndeshjen e kaluar.
“Në fakt prejse mbrojtësi i qendrës mori ftesë nga përfaqësuesja e Zvicrës në tetor, forma e tij është në rënie”, ka komentuar gazetar zvicerane.
Trajneri i Luzernit, Mario Frick, ka thënë se Bajrami po merr përvojë në futbollin e të rriturve. Ai është kthyer në Zvicër pas zhvillimit shumëvjeçar te Benfica në Portugali.
“Është edicioni i tij i parë i plotë në futbollin e të rriturve. Ai është lojtar i ri që duhet të lejohet të bëjë gabime në mënyrë që të mësojë prej tyre, njëjtë si të gjithë lojtarët e tjerë të rinj në ekipin tonë. Te Benfica ai ishte lojtar i ekipit, tani po merr përgjegjësi të plotë për herë të parë. Prejse arriti në verë, çdo gjë ka ndodhur shumë shpejt. Dhe të mbash nivelin e performancës, pasi të arrish një status të veçantë, është gjëja më e vështirë në futboll”, ka thënë Frick.
Ai megjithatë nuk dyshon në mbrojtësin shqiptar. Madje ka shumë besim në të.
“Ai ka personalitet të shkëlqyer. Duam ta ndihmojmë në rrugëtimin e tij. Por është e rëndësishme që t’i eliminojë këto gabime”, ka shtuar trajneri i Luzernit.
Bajrami i kishte dy paraqitje në Botërorin e klubeve në SHBA para se të largohej nga Benfica.
Megjithatë te ky klub nuk ia doli të shpërthente në ekipin e parë dhe vendosi të kthehej në Zvicër.
Kthimi në Zvicër u shoqërua me ftesë nga përfaqësuesja e këtij vendi.
Ai tashmë i ka 15 paraqitje e një gol në Superligën helvetike. Për të shpresuar që të ftohet në Botërorin në SHBA, duhet t’i shmangë gabimet, si ato të bëra ndaj Winterthurit.