Futboll

Bajrami ndihet krenar me debutimin te Zvicra

Adrian Bajrami

Adrian Bajrami debutoi për Përfaqësuesen e Zvicrës. Mbrojtësi 23-vjeçar i Luzernit luajti 13 minuta në barazimin kundër Sllovenisë, duke marrë lëvdata nga kapiteni Granit Xhaka

Edhe pse jo të gjithë lojtarët e Zvicrës ishin të sigurt se çfarë mendonin për barazimin kundër Sllovenisë, një lojtar shpërtheu në lot nga gëzimi. Adrian Bajrami luajti 13 minutat e tij të parë me fanellën e Zvicrës më 13 tetor.

“Ndjenjë e pabesueshme, jam i lumtur dhe krenar”, tha mbrojtësi i Luzernit pas ndeshjes. Ai nuk e kishte pritur debutimin e tij gjatë ndeshjes në Lubjanë.

“Nuk isha duke u ngrohur, por Rici Rodriguez pati një problem të vogël dhe papritmas më duhej të hyja shpejt”, ka thënë ai.

Kjo është një arsye pse ngarkesa para debutimit u harrua.

“Meqenëse u futa shpejt, isha shumë më pak në stres nga sa prisja. U ndjeva rehat që në prekjen e parë të topit dhe jam thjesht i lumtur”, thotë i buzëqeshur Bajrami.

Në të vërtetë, ai nuk tregoi shenja pasigurie, madje e ruajti qetësinë edhe kur iu zbath këpuca në fushë gjatë ndeshjes.

23-vjeçari gjithashtu thotë se te Zvicra e kanë pritur shumë mirë që nga fillimi. Pas ftesës ai i tha “Blickut” se mezi priste të takonte kapitenin Granit Xhaka.

A i përmbushi pritjet?

“Një person i jashtëzakonshëm, nuk mund ta kisha imagjinuar më të mirë, një djalë i shkëlqyer dhe një futbollist fantastik”, tha Bajrami për Xhakën.

Xhaka menjëherë ia ktheu lëvdatat mbrojtësit të Luzernit.

“Ai është një djalë shumë i këndshëm, gjithmonë pozitiv dhe një mbrojtës i vërtetë që kërkon çdo top, madje edhe në stërvitje”, tha Xhaka.

Ai ishte i lumtur për Bajramin dhe debutimin e tij.

“Ai hyri shumë mirë, fitoi duele dhe luajti thjesht. Ai është pa dyshim një lojtar për të ardhmen”, tha kapiteni.

Këto fjalë do t’i mbesin në kujtesë Bajramit. Por nuk është vetëm kapiteni që thuri lavde. Përzgjedhësi Murat Yakin po ashtu ka fjalë shumë pozitive për debutimin e tij. “Adriani luajti shumë mirë në stërvitje, ai luan me këmbën e majtë dhe luan mirë në mbrojtje”, tha Yakin.

Për shkak të faktit që luan me këmbën e majtë, ai u zgjodh për të zëvendësuar Ricardo Rodriguez.

Ndërkohë, i lumturi Bajrami shpreson se ka arritur të tregojë mjaftueshëm cilësitë e tij për një tjetër ftesë nga Zvicra në nëntor, kur zhvillohen dy ndeshjet e fundit kundër Suedisë dhe Kosovës.

Motoja për dy ndeshjet e fundit është e qartë.

“Thjesht vazhdoni me gjithë fuqinë, siç kemi bërë deri më tani”.