Drejtori i Përfaqësueses së Zvicrës në futboll, Pierluigi Tami, ka thënë se selektori Murat Yakin ia ka dhënë mundësinë Adrian Bajramit për t’i treguar aftësitë e tij. Tami ka thënë se i mbetet Bajramit për të siguruar një vend te Zvicra.
Zvicra do të luajë dy ndeshje në udhëtim për kualifikimet në Botërorin 2026. Të premten luan me Suedinë, ndërsa pas tri ditësh kundër Sllovenisë. Të dyja ndeshjet janë të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
Bajrami, që ishte në listën e Sylvinhos në shtator, është ftuar për herë të parë nga selektori Murat Yakin. Bajrami luajti vetëm në tri miqësore për kuqezinjtë. 23-vjeçari u largua muajin e kaluar nga Benfica e tash luan te Luzerni.
“Ai tregoi interesin e tij për të luajtur për ne. Tani Murat Yakini ia ka dhënë këtë mundësi. Do të shohim se si do të zhvillohet”, ka thënë Tami në konferencë për media të hënën.
Ai ka folur edhe për largimin e Albian Hajdarit, Leon Avdullahut dhe Eman Kospon. Ky i fundit vendosi për të përfaqësuar Bosnjë-Hercegovinën, kurse Hajdari dhe Avdullahu për Kosovën.
“Shumica e lojtarëve luajnë për ne deri në nivelin U21. Pastaj, ndonjëherë, ata kalojnë në një shtet tjetër nëse nuk ftohen nga ekipi i të rriturve të Zvicrës. Motoja jonë është – hap pas hapi. Të kesh shtetësi të dyfishtë nuk duhet të jetë një avantazh kur bëhet fjalë për ftesën e ekipit të Zvicrës krahasuar me një lojtar që ka vetëm një pasaportë. Ndonjëherë ekziston një mundësi për t’u bërë titullar i rregullt për një shtet tjetër menjëherë. Konkurrenca këtu është e fortë. E kuptoj nëse lojtarët kërkojnë një rrugë tjetër”, ka theksuar Tami.
Ai ka theksuar se rezultatet e dy ndeshjeve të fundit të Zvicrës janë tregues i madh për rritjen e përfaqësueses helvetike të futbollit.
“Jemi shumë të kënaqur me fillimin tonë me këto dy fitore. Qëllimi është të konfirmojmë nivelin që treguam kundër Kosovës dhe Sllovenisë”, ka thënë Tami.
Zvicra fitoi 4:0 ndaj Kosovës e 3:0 kundër Sllovenisë. Zvicra mund të sigurojë kualifikimin në Botëror këtë muaj.
Pas dy ndeshjeve të para, Zvicra ka gjashtë pikë, ndjekur nga Kosova me tri, ndërsa Suedia e Sllovenia kanë nga një.