Nga Zvicra te Kosova apo Shqipëria nuk janë lëvizjet e vetme të lojtarëve. Ka lëvizje edhe në drejtim të kundërt.
Për shembull një të tillë e ka bërë mbrojtësi i Luzernit, Adrian Bajrami. Ai ka vendosur të largohet nga Shqipëria për të luajtur me Zvicrën.
Këtë e bëri të ditur të hënën Federata Shqiptare e Futbollit.
Bajrami ishte në listën e Sylvinhos për ndeshjet e shtatorit, si shumë herë në të kaluarën. Por, nuk pritet të jetë më.
Bajrami është 23-vjeçar, i lindur në Zvicër. I ka tri paraqitje me kuqezinjtë, por vetëm në miqësore. Dhe kjo ia jep të drejtën e ndryshimit të përfaqësueses. Po të luante ndonjë ndeshje garuese, nuk do të mund ta ndryshonte më përfaqësuesen. Bajrami në vitin 2022 luajti ndaj Estonisë e më pas edhe ndaj Italisë e Armenisë.
Ishte grumbulluar edhe në shtator e nëntor të vitit të kaluar, e po ashtu në qershor të këtij viti. Por nuk u aktivizua dhe tani ka vendosur për Zvicrën.
“Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Adrian Bajrami nuk do të jetë pjesë e Kombëtares. Bajrami ka vendosur të largohet nga Shqipëria për të luajtur me Zvicrën. Pasi është vënë në dijeni për këtë vendim të lojtarit, trajneri Sylvinho ka vendosur të ftojë mbrojtësin Maldini Kacurri, i cili do të bashkohet me skuadrën në kampin stërvitor të kuqezinjve në Malaga gjatë të hënës dhe do të vihet në dispozicion për këto dy ndeshje”, ka njoftuar FSHF-ja të hënën.
Bajrami është zhvilluar për kohë të gjatë te Benfica. Këtë verë u kthye në formë huazimi te Luzerni. Ai kishte luajtur për U18 të Zvicrës e më pas për U19 të Shqipërisë. Dhe tani kthehet te helvetikët.
Së fundi bëri bujë kalimi i Leon Avdullahut nga Zvicra te Kosova. Por edhe Federata zvicerane vazhdon punën për joshjen e lojtarëve të rinj cilësorë. Lëvizja e Bajramit e dëshmon këtë.
Shqipëria luan miqësore me Gjibraltarin dhe më pas luan ndeshje kualifikuese me Letoninë, më 9 shtator.
Në vend të Ylber Ramadanit të lënduar është ftuar Enis Çokaj. Për arsye shëndetësore mungon Ernest Muçi, ndërsa në vend të tij u ftua Cristian Shpendi.