Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bajrami tregon pse zgjodhi Shqipërinë, Zvicra nuk heq dorë prej tij

Mbrojtësi i ri, Adrian Bajrami, me padurim po e pret debutimin te Përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll. 19-vjeçari është ftuar nga përzgjedhësi Edoardo Reja për ndeshjet miqësore që Shqipëria do t’i luajë këtë muaj, me Spanjën dhe Gjeorgjinë.

Në konferencën për shtyp të mbajtur të martën, Bajrami ka thënë se zgjodhi ta përfaqësojë Shqipërinë para Zvicrës pasi është shqiptar. Ai është pjesë e ekipit të rinjve të Benficas, ndërsa vlerësohet si njëri prej mbrojtësve më premtues në Zvicër.

“Unë jam shqiptar. Jam i lindur dhe i rritur në Zvicër ku kam kaluar shumë vjet në futboll përpara se të kaloja te Benfica. Por, unë ndihem shqiptar”, tha Bajrami kur u pyet për zgjedhjen e tij. “Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Shqipërisë dhe shpresoj që të ambientohem sa më shpejt”.

Bajrami ka thënë se po ndihet shumë mirë te kuqezinjtë dhe se është i gatshëm për të luajtur, natyrisht nëse i jepet rasti nga përzgjedhësi Reja.

Shqipëria të hënën ka nisur përgatitjet në Barcelonë përpara duelit me Spanjën që do ta luajë më 26 mars në stadiumin “RCDE” në Barcelonë. Tri ditë më vonë Shqipëria e pret Gjeorgjinë në Tiranë.

“Shpresoj të debutoj, pasi jam gati dhe në formë të mirë”, ka thënë Bajrami.

Edhe Bajrami kaloi nga Shqipëria te Zvicra: Ndeshja me Kosovën e veçantë Futboll Bajrami kaloi nga Shqipëria te Zvicra: Ndeshja me Kosovën e veçantë

Ai mori ftesë nga Përfaqësuesja U20 e Zvicrës së fundi. Megjithatë, në të njëjtën kohë është ftuar edhe nga U21 e Shqipërisë e po ashtu edhe nga Përfaqësuesja A e Shqipërisë, për të cilën tashmë ka vendosur. Bajrami është edhe në listën e 23 lojtarëve të U20 të Zvicrës që është grumbulluar për ndeshje me Rumaninë, por ai ka dashur të grumbullohet me Shqipërinë për miqësoret e këtij muaji. Edhe pse është grumbulluar me Shqipërinë, në Federatën e Futbollit të Zvicrës kanë insistuar se nuk kanë hequr dorë nga Bajrami. Madje në një prononcim për të përditshmen zvicerane “Blick”, federata zvicerane ka zbuluar se është në kontakte me Bajramin, të cilat do t’i vazhdojë edhe pas miqësoreve të Shqipërisë. Vetëm nëse luan ndeshje zyrtare me përfaqësuesen A, Bajrami e humb të drejtën e ndryshimit të përfaqësueses.

“Federata e Futbollit të Zvicrës e njeh shumë mirë pozicionin fillestar dhe është në kontakt të vazhdueshëm më lojtarin. Adrian Bajrami do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Shqipërisë për ndeshjet e muajit mars. Meqenëse ndeshjet e ardhshme nuk janë zyrtare kualifikuese ose të Ligës së Kombeve të UEFA-s, Bajrami ka të drejtën ta përfaqësojë Zvicrën nëse vendos për këtë. Federata gjithashtu do të qëndrojë në kontakte me futbollistin edhe pas këtyre ndeshjeve ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e federatës zvicerane në lidhje me çështjen e Bajramit.

Në mars të vitit 2019, Bajrami i luajti dy ndeshje për Shqipërinë U19. Disa muaj më vonë luajti për U18 të Zvicrës. Ai është zhvilluar në Akademinë e Young Boysit, ndërsa prej vitit 2018 është pjesë e Benficas. Te Benfica po aktivizohet me ekipin U23, ndërsa herë pas here stërvitet edhe me ekipin e parë.