Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shotani nuk ndjen presionin e shkarkimit nga Drenica

Bekim Shotani nuk ndjen presionin e shkarkimit nga posti i trajnerit të Drenicës. Ai ka pranuar përgjegjësinë për rezultatet e deritashme të Drenicës, por premton se shtabi teknik do ta japë maksimumin për t’ia kthyer rezultatet pozitive ekipit nga Skenderaj.

Drenica pësoi disfatë të thellë të dielën me rezultatin 5:2 në “Bajram Aliu” në Skenderaj. U mposht nga Trepça ’89.

Për Drenicën ishte humbja e tretë në gjashtë takimet e edicionit aktual. Zë vendin e tetë me pesë pikë, kurse me pikë të njëjta është edhe 89-shi, që renditet dy vende më lart.

“Nuk është presioni në pyetje, por përgjegjësia, pasi trajneri mbështetet në rezultate. Unë së bashku me shtabin teknik do të punojmë për të ardhur deri te rezultatet, pasi për këtë kam ardhur këtu. Nuk kemi presion, asnjëherë nuk kemi pasur presion, por duhet të jemi të vetëdijshëm që si trajner të nxjerrim më të mirën, pasi për atë edhe paguhemi”, ka thënë Shotani. Ai pranon se Trepça ’89 ishte bindshëm skuadër më e mirë se Drenica. “Prej fillimi të ndeshjes nuk kemi qenë të disiplinuar dhe ky ka qenë ndëshkimi kryesor. Ne bëmë gabim të madh në vijën e fundit dhe kemi bërë që prej fillimit gabime në aspektin tekniko-taktik dhe nuk kemi qenë aspak si ndeshjet e kaluara. Trepça ’89 me plot meritë fitoi ndeshjen. Kam thënë edhe më parë, çdo rezultat tjetër përveç fitores si vendas është rezultat i papranueshëm për ne”, ka theksuar Shotani.