Me shumë mundësi Mërgim Berisha po i luan ndeshjet e fundit te gjiganti austriak i futbollit, Red Bull Salzburg. Me paraqitjet, shpesh impresive, Berisha ka ngjallur interesimin e shumë skuadrave nga ligat e mëdha evropiane, sidomos atyre në Gjermani. Berisha 22-vjeçar ende është pjesë e Shpresave të Gjermanisë, ndërsa te Salzburgu po shndërrohet në lojtar të kalibrit të lartë.
Red Bull Salzburgu është klub i kalibrit të lartë, po ashtu, dhe Berisha po e gjen veten shumë mirë aty. Të shtunën mbrëma ai e pati një tjetër paraqitje të shkëlqyeshme.
Salzburgu e fitoi Kupën e Austrisë, duke e mposhtur LASK-un në finale me shifrat 3:0. Dhe sulmuesi kosovar ishte i pandalshëm. Ai shënoi për 1:0 në fund të pjesës së parë. Është vlerësuar gol vendimtar në finale. Nisi aksionin për 2:0 dhe po ashtu për 3:0, duke bërë pasime të gjata për kundërsulme. Për më tepër siguroi edhe një penallti, që nuk u konkretizua. Pati edhe një gjuajtje të bukur me kokë, një goditje të rrezikshme dënimi, një goditje nga këndi i vdekur...
Për Kupë, Berisha ka tri gola e dy asistime në katër ndeshje. Në Bundesligën e Austrisë ka 11 gola e tetë asistime në 24 paraqitje. Në Ligën e Kampionëve ka katër gola e dy asistime në gjashtë paraqitje. Në Ligën e Evropës ka një gol në dy paraqitje. Bilanci total: 19 gola, 12 asistime, 38 ndeshje.

Për Berishën është Kupa e tretë e Austrisë me Salzburgun. Ka edhe dy tituj të kampionit e po shkon drejt të tretit. Ka fituar edhe Ligën e të Rinjve të UEFA-s e po ashtu ka dy tituj të Austrisë për të rinj.
Salzburgu, ndërkohë, po shkon drejt titullit të 15-të. Të parin e ka fituar në vitin 1994. Prej vitit 2014 ka fituar gjithë titujt e Austrisë. Kupën e ka fituar rregullisht prej vitit 2014, në përjashtim të vitit 2018. Gjithsej i ka tetë kupa.
Salzburgu pos që fiton trofe, nxjerr vazhdimisht lojtarë për klube më të mëdha, sidomos në Gjermani. Prej atyre që pritet të largohen në këtë verë është sulmuesi i krahut Berisha, lojtari që nuk deklarohet shumë, por kryen shumë punë në fushë.
Ai ka kontratë vetëm deri në qershor të vitit të ardhshëm dhe Salzburgu natyrisht synon të fitojë disa miliona prej kosovarit.
Fundi i këtij muaji dhe fillimi i muajit të ardhshëm mund t’i japë shtytje tjetër karrierës së Berishës. Ai me Gjermaninë U-21 do të luajë në çerekfinale të Evropianit. Më 31 maj, Gjermania takohet me Danimarkën. Gjysmëfinalet janë më 3 qershor e finalja më 6 qershor. Nëse Berisha ka sukses me Gjermaninë U-21, interesimi për të vetëm do të rritet.
Nëse vazhdon zhvillimin aktual, Berisha shpejt do të jetë kandidat për vend te përfaqësuesja A e Gjermanisë.
Berisha është i lindur në Gjermani, ndërsa është rritur si lojtar te Salzburgu në Austri. Te kjo skuadër është prej vitit 2008. Ai ka kaluar periudha huazimi te Lieferingu, LASK-u, Magdeburgu dhe Altachu. Por, Salzburgu asnjëherë nuk ka hequr dorë prej tij. Ia ka njohur potencialin.
Në janar të vitit të kaluar, Salzburgu e ktheu përfundimisht, duke i dhënë gradualisht hapësirë në ekipin e parë. Dhe Berisha po e shfrytëzon atë si më mirë.
“Deri më tani po ecën shumë mirë për mua te Salzburgu. Edhe skuadra po ka suksese. Gjërat po ecin në drejtimin e duhur”, ka thënë Berisha javë më parë për KOHËN, në një intervistë të rrallë për mediat shqiptare. Ai është me prejardhje nga Suhareka. Ai, ndër të tjera, kishte shënuar edhe ndaj Bayernit në Champions.
“Për emrin tim në futboll, golat me Bayernin ishin shumë të rëndësishëm. Të shënosh kundër Bayernit nuk është gjë e vogël e po ashtu nuk është e lehtë. Bayerni është klubi numër një në botë. E kam ndier veten shumë mirë që kam shënuar dy herë ndaj këtij klubi. Besoj se më kanë ndihmuar golat që të jem më i njohur në Gjermani, ku luaj për U-21”, ka theksuar Berisha.
Ai ka konfirmuar se aktualisht është duke menduar vetëm për Salzburgun, se si të luajë mirë dhe ta ndihmojë ekipin.
“Jam i fokusuar 100 për qind te Salzburgu. Nuk mendoj për ndonjë gjë tjetër. Gjërat e tjera i di më mirë menaxheri im”, ka thënë Berisha.