Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Berisha e mbylli me stil edicionin e mahnitshëm

Plot 14 në Bundesligë, katër në Champions, tri për Kupë e një në Ligën e Evropës. Është kjo “lista” e golave të shënuar nga kosovari Mërgim Berisha në edicionin që tashmë përfundoi.

Nuk ishte kjo e vetmja në një edicion të mahnitshëm për anëtarin e U21 të Gjermanisë. Ai ka edhe dhjetë asistime në Bundesligën e Austrisë, dy në Ligën e Kampionëve e dy në ndeshjet për Kupë të Austrisë.

Berisha fitoi me Red Bull Salzburgun titullin e kampionit dhe Kupën e Austrisë. Luajti edhe në fazën grupore të Championsit e në fazën nokaut të Ligës së Evropës. Shënoi dy herë ndaj Bayernit, dy herë ndaj Lokomotivës së Moskës dhe kishte dy asistime ndaj Atletico Madridit.

Një edicion të madh, Berisha e mbylli me stil. Ai të shtunën shënoi “hat-trick” në fitoren 4:0 të Salzburgut ndaj Tirolit. Ishte ndeshje përmbyllëse e edicionit në Bundesligë.

Berisha për herë të parë ka shënuar tre gola në një ndeshje për Salzburgun, përkatësisht në nivel profesional. Salzburgu të shtunën e ngriti trofeun e kampionit, në praninë e 3000 shikuesve. Ishte titulli i tetë rresht për Salzburgun, që dominon plotësisht futbollin austriak.

Edhe Rënia e madhe e Mërgim Berishës Futboll 6 muaj më parë Rënia e madhe e Mërgim Berishës

“Berisha hap festën e titullit derisa tifozët kthehen”, ka shkruar Salzburgu në sajtin zyrtar.

Mediat austriake kanë shkruar se Berisha tashmë është shumë i kërkuar, sidomos nga skuadrat në Gjermani. Golat ndaj Bayernit natyrisht kanë ndihmuar, por edhe bilanci dhe forma gjatë gjithë edicionit. Ai ka kontratë me Salzburgun deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Berisha së shpejti futet në vitin e fundit të kontratës dhe te Salzburgu duhet të vendosin: ose ta shesin për disa miliona, ose ta rinovojnë kontratën me lojtarin produktiv, apo të rrezikojnë që ta humbasin pa dëmshpërblim pas një viti.

Vetë Berisha ka thënë se do të vendosë pasi të paraqitet me Gjermaninë në pjesën finale të Evropianit të Shpresave.

Në mars, Gjermania U21 doli e dyta në grup, pas Holandës. Kështu siguroi kalimin në çerekfinale. Në çerekfinale, më 31 maj, Gjermania takohet me Danimarkën. Gjermanët synojnë titullin, ndërsa suksesin e kërkon edhe Berisha. Ai ka dhjetë paraqitje e një gol për Gjermaninë U21. Ka startuar në të gjitha ndeshjet e Evropianit.

Salzburgu ka nën kontratë plot 50 lojtarë. Një pjesë e tyre do të largohen. Për yjet e skuadrës austriake kanë shprehur interesim skuadra të mëdha evropiane. Patson Daka, Enock Mwepu, Berisha, Rasmus Kristensen dhe Andre Ramalho janë lojtarët për të cilët ka më së shumti interesim, ka raportuar “laola1.at” të dielën.

Bisedimet e Salzburgut për vazhdim të kontratës me Berishën kanë ngecur. Kështu të paktën kanë shkruar mediat austriake.

Berisha vetëm pasi ta përfundojë paraqitjen në Evropianin e Shpresave do të vendosë për të ardhmen.

Edhe Valon Berisha mbetet te Zurichu Futboll 2 muaj më parë Valon Berisha mbetet te Zurichu

“Tani do të shkoj në Kampionatin Evropian. Synimi është që ta dëshmoj veten në atë ngjarje. Vetëm pasi të përfundoj paraqitjen në Evropian do të mendoj për të ardhmen time”, ka thënë Mërgim Berisha.

Me shumë mundësi edicionin e ardhshëm ai do ta bartë fanellën e ndonjë klubi të njohur në Gjermani.