Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas kalimit në Austri, Berisha synon kthimin te Kosova

Valon Berisha ka fituar pesë tituj rresht të kampionit në Austri me fanellën e gjigantit Red Bull Salzburg. Tani me skuadrën e tij të re, LASK-un, Berisha synon ta rivalizojë Salzburgun në garën për titull të kampionit.

“Edhe ta fitoj titullin”, tha Berisha të hënën për KOHËN. “Ky është edhe synimi im”, shtoi mesfushori që me LASK-un ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2026. Ai u prezantua të hënën.

Synim tjetër i Berishës është që nëpërmjet paraqitjeve të mira në kampionatin e Austrisë të kthehet të luajë për Kosovën.

“Është mirë të kthehem pas një viti që kam pasur në Australi. Kam luajtur çdo vikend me paraqitje të mira. Fizikisht kam qenë mirë, por ka qenë pak larg dhe për mua ka qenë e vështirë të udhëtoj për t’iu bashkuar Kosovës .Tash është më lehtë. Besoj se nëpërmjet paraqitjeve të mira do të jetë një opsion më i madh edhe për Kosovën. Për Kosovën e jap maksimumin. Besoj të gjithë e dinë, nga presidenti dhe deri te trajneri. Gjithmonë jam i gatshëm ta jap maksimumin për Kosovën, ashtu siç kam bërë gjithmonë. Besoj se është një hap i mirë për mua për momentin, sidomos pas lëndimit. Uroj ta kem shëndetin dhe të na prijë fati mua dhe klubit dhe me Kosovën kur të nisim sërish ndeshjet”, ka thënë Berisha.

Për Kosovën, Valon Berisha ka shënuar katër gola dhe ka kontribuar me pesë asistime në 40 ndeshje.

Mesfushori 30-vjeçar me Përfaqësuese luajti së fundi më 12 shtator kundër Rumanisë. Pesë ndeshjet e fundit mungoi për shkak të lëndimit dhe për faktin se ishte pa klub. Së fundi ishte pjesë e Melbourne Cityt, ku ishte huazuar nga Reimsi francez. Në fakt ai u kthye në Francë, por Reimsi shkëputi kontratën me Berishën në shtator. Që nga ajo kohë ishte pa skuadër.

Më herët mesfushori karrierë ka bërë edhe te Vikingu, Lazio e Fortuna Duesseldorfi.

“Ka qenë e rëndësishme të kthehem pas katër muajsh pauzë për shkak të lëndimit të pësuar kundër Rumanisë. E rëndësishme është të kthehem në ritëm, të luaj sa më shumë. Jam transferuar në një skuadër që më ka dashur shumë. Kemi zhvilluar bisedime të mira me presidentin dhe me drejtorin sportiv. Besoj se do të jetë një hap i duhur për mua sidomos pas lëndimit. Kam pasur edhe oferta të tjera nga klube të tjera. Ka pasur interesim edhe nga skuadra jashtë Evropës, ku ofertat në aspektin financiar kanë qenë më të mëdha, por për mua e rëndësishme është të luaj, të kem paraqitje të mira dhe jo vetëm ana financiare”, është shprehur Berisha.

Berisha te LASK-u po shihet si përforcim i rëndësishëm dhe këtë e kanë pranuar edhe drejtuesit e klubit. LASK-u këtë edicion po lufton për titullin e kampionit të Austrisë dhe aktualisht është i treti në tabelë me 32 pikë, shtatë më pak se Salzburgu që është lider.

“Synoj të fitoj çdo lojë që luaj personalisht, por edhe ekipi ka synime të mëdha. Të gjithë e dimë se Salzburgu është ekipi i parë në Austri. Por LASK-u në tre vjetët e fundit ka qenë në mesin e tri skuadrave të para dhe ka për synim ta rivalizojë Salzburgun dhe ndoshta edhe ta fitojë titullin. Ky është edhe synimi im. Mundësitë janë, por duhet shumë punë e po ashtu edhe fat. Hapi është i duhur, sidomos pas lëndimit. Është një hap i mirë. Kam menduar më thellë nga ana e futbollit dhe klubi ma ka dhënë një ndjesi të mirë”, ka thënë Berisha.

Artikuj të ngjashëm