Futboll

Valon Berisha kalon te Zurichu

valon berisha

Mesfushori i Kosovës, Valon Berisha, ka gjetur skuadrën e re.

Berisha të mërkurën firmosi me klubin e njohur zviceran, Zurich. 33-vjeçari së fundi ishte në Austri te LASK-u, por pa u treguar i suksesshëm.

Berisha me Zurichun ka firmosur kontratë të vlefshme deri në fund të edicionit, me mundësi të vazhdimit edhe për një vit tjetër. Te Zurichu janë edhe Lindrit Kamberi e Bledian Krasniqi. Ka shumë vjet që Zurichu ka në përbërje nga disa lojtarë shqiptarë.

“Nga fillimi pata një ndjesi shumë të mirë. Bisedimet shkuan shumë mirë dhe unë e njoh po ashtu Zurichun si ekip. Kam pasur ish-bashkëlojtarë dhe po ashtu bashkëlojtarë në përfaqësuese që kanë luajtur për Zurichun. Kanë folur vetëm mirë. Kur erdhi opsioni, desha me çdo kusht të vija. E kisha kokën e qartë. Jam shumë i lumtur”, ka thënë Berisha për faqen zyrtare të Zurichut.

Aktualisht Zurichu është në garë për të siguruar ekzistencën në Superligën e Zvicrës. E mban vendin e dhjetë me 25 pikë. Liga zvicerane i ka 12 skuadra. Pas Zurichut janë Grasshopperi dhe Winterthuri.

“Jam lojtar lider dhe dua t’i ndihmojë djemtë, t’i përkrahi me përvojën time por edhe në fushë. Dua me Zurichun të fitojmë dhe të festojmë”, tha Berisha.

Berisha është i lindur në Suedi, ndërsa është rritur në Norvegji. Është zhvilluar në skuadra si Egersund e Viking, kurse në vitin 2012 u transferua te Salzburgu në Austri. Te kjo skuadër luajti me plot sukses deri në vitin 2018. Më pas bëri karrierë te Lazio në Serie A, te Fortuna Dusseldorf në Gjermani, te Reimsi në Francë, te Melbourne City në Australi dhe te LASK-u në Austri. Te LASK-u qëndroi plot dy vjet, por në edicionin aktual nuk ishte prej lojtarëve të rëndësishëm dhe vendosi të largohet.

Këtë edicion i luajti dhjetë ndeshje në Bundesligën e Austrisë, ndërsa dy paraqitje të tjera i kishte për Kupë të Austrisë. Së fundi ishte aktivizuar më 1 nëntor.

Për kohë të gjatë Valon Berisha ishte prej mesfushorëve kryesorë të Kosovës. Tashmë i ka 52 ndeshje e katër gola. Megjithatë pas ardhjeve të fundit, sidomos të Elvis Rexhbeçajt e Leon Avdullahut, është vetëm njëri prej mesfushorëve rezervistë.