Një grup i vogël mbështetësish të pakënaqur të Manchester Unitedit u drejtuan drejt shtëpisë së shefit ekzekutiv të klubit për të shprehur shqetësimet e tyre mes trazirave të përhapura në bazën e tifozëve në lidhje me pronësinë e familjes Glazer dhe çështje të tjera. Ata ndoshta morën më shumë se sa kishin në mendje. Protesta e planifikuar nga tifozët u shndërrua në një ulje të improvizuar me Richard Arnoldin, në një pijetore ku dukej se po diskutohej për një sërë temash, nga pronarët te çështjet financiare të klubit deri te transferimi eventual i mesfushorit të Barcelonës, Frenkie De Jong.
“Richardi dëgjoi se një grup tifozësh ishin mbledhur në një pijetore pranë shtëpisë së tij”, tha Unitedi, nëpërmjet një komunikate të dielën. “Ai shkoi t'i takonte, u bleu të gjithëve nga një pije, i dëgjoi pikëpamjet e tyre dhe shpjegoi se çfarë po bën klubi për të dhënë sukses në fushë, për të përmirësuar stadiumin dhe për të forcuar angazhimin me tifozët.”
Video u zbulua në mediat sociale që tregon Arnoldin, i cili mori rolin në shkurt, duke trajtuar shqetësimet në një mënyrë mjaft të hapur. Ishte e paqartë nëse ai e dinte se po filmohej, ndërsa fliste për mënyrën sesi Unitedi është “djegur përmes parave të gatshme” dhe nevojën për investime shtesë në objekte të tilla, si stadiumi dhe terreni stërvitor. Angazhimi më i madh i tifozëve ka qenë një çështje me rëndësi në rritje në mesin e mbështetësve të Unitedit pas rritjes së armiqësisë ndaj pronarëve amerikanë, për shkak të përfshirjes së familjes Glazer në planet për të nisur një Superligë Evropiane dhe rënies së ekipit, i cili është pa një trofe të madh në pesë vjet.
Bashkëkryetari ekzekutiv, Joel Glazer, ka marrë pjesë në mbledhjet e bordit këshillues të tifozëve në janar dhe përsëri në prill, në një kohë kur tifozët po shfrynin zemërimin e tyre në ndeshjet që luheshin në stadiumin “Old Trafford” në fund të një sezoni tjetër zhgënjyes. Ardhja e një tjetër trajneri të ri, holandezit Erik ten Hag, dhe largimi i një numri lojtarësh - Paul Pogba, Nemanja Matiq, Jesse Lingard dhe Juan Mata - të cilët kanë qenë me paga të mëdha dhe kanë pasur rezultate të dobëta në sezonet e fundit do të thotë se është ndoshta shkak për njëfarë optimizmi të qetë që shkon në sezonin 2022/23, duke filluar në muajin gusht. Unitedi nuk e ka bërë ende asnjë transferim për sezonin e ri, me ndjekjen e De Jongut, por marrëveshja me Barcelonën po ka vështirësi për shkak të kërkesave të larta të ekipit spanjoll. Për ta lënë të lirë De Jongun, i cili kërkohet me ngulm nga trajneri Ten Hag, Barça po kërkon të paktën 80 milionë euro. Manchester City ka nënshkruar tashmë me Erling Haalandin, një nga lojtarët më të kërkuar në botë, ndërsa një tjetër sulmues i ri shumë i vlerësuar, Darwin Nunez, i është bashkuar Liverpoolit përkundër interesimit nga Unitedi. Tottenhami dhe Arsenali kanë qenë gjithashtu aktiv në tregun e transferimeve që nga përfundimi i sezonit në Premier League. Në videon e zbuluar, Arnold mund të shihet duke thënë se “paratë që duan menaxheri dhe drejtori i futbollit janë aty”, por ato ende nuk janë shpenzuar.
Unitedi ka fituar më shumë tituj të ligës angleze se çdo ekip tjetër - 20 - por trofeu i fundit i tij i madh ishte ai që e fitoi në Ligën e Evropës në fund të sezonit 2016/17. Në sezonin e përfunduar së fundmi, Unitedi përfundoi në vendin e gjashtë në tabelë me 58 pikë të grumbulluara - sezoni më i keq i ekipit në Premier League për sa u përket pikëve të mbledhura. Unitedi në fillim muajit tjetër do t’i nisë zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e holandezit Ten Hag. Pjesë e ekipit edhe për sezonin e ri pritet të jetë edhe ylli portugez, Cristiano Ronaldo, që ka kontratë deri në vitin e ardhshëm. Ronaldo iu bashkua Unitedit verën e shkuar nga Juventusi dhe sezonin e mbylli me 24 gola të shënuar në të gjitha garat.