Sport

Shpenzimet e mëdha bëjnë që Ten Hag të jetë në presion për ta sfiduar Cityn

Pritjet janë shumë më të mëdha për trajnerin Erik ten Hag në edicionin e tij të dytë në krye të skuadrës së Manchester Unitedit. Gjatë një viti në njërën nga pozitat më të frikshme në futbollin botëror, trajneri holandez ka shpenzuar shumë dhe ka bërë disa transferime të mëdha.

Si rezultat i kësaj, prej teknikut holandez tani pritet të rikthejë kohët e arta në “Old Trafford”. Ndërsa edicioni i parë i Ten Hagut ishte një sukses në shumë nivele, kishte gjithashtu paralajmërime të hapura të punës që duhej bërë për ta kthyer ekipin e tij në një pretendent të vërtetë për titullin e kampionit në Premier League.

Ten Hag fitoi trofeun e parë duke ngadhënjyer në Kupën e Ligës dhe gjithashtu siguroi një rikthim në Ligën e Kampionëve. Pati fitore të mëdha kundër Manchester Cityt, Liverpoolit, Arsenalit dhe Barcelonës, që ishte një shenjë e mirë për tifozët pas një dekade rënie që nga pensionimi i të madhit të Unitedit, Alex Ferguson.

Nën drejtimin e Ten Hagut, Marcus Rashford shënoi 30 gola që ishte shifra e tij më e lartë në karrierë. Këto ishin pikat më të larta të teknikut holandez në krye të ekipit anglez. Në anën tjetër, ai përjetoi humbje të rënda. Unitedi u mposht 4:0 nga Brentfordi, 6:3 nga City dhe 7:0 nga Liverpooli, që ishte humbja më e rëndë e klubit në 90 vjet në garat zyrtare. Unitedi gjithashtu luajti në finalen e Kupës FA, por u mposht me lehtësi nga City. Rezultati 2:1 nuk pasqyron dominimin e Cityt në atë ndeshje.

Në humbjen e asaj finale në “Wembley Stadium”, jo vetëm që Unitedi nuk arriti të ndalonte tripletën e Cityt, që përfshinte gjithashtu Premier Leaguen dhe Championsin, por ndeshja shfaqi hendekun që ekzistonte ende midis skuadrave. Si përgjigje ndaj këtij hendeku, Ten Hag ka bërë transferime të mëdha në këtë afat kalimtar të verës. Portieri veteran David De Gea, u lirua kur i skadoi kontrata dhe u zëvendësua nga Andre Onana, i cili do t’i mundësojë Ten Hagut të fokusohet në ndërtimin e lojës nga mbrojtja. Harry Maguire nuk është më kapiten, me portugezin Bruno Fernandes që do ta ketë përgjegjësinë për edicionin e ri. Trajneri i Unitedit ka gjetur gjithashtu një zëvendësues për Cristiano Ronaldon në qendër të sulmit. Pavarësisht se u lidh vazhdimisht me një lëvizje për Harry Kanen, Ten Hag zgjodhi të nënshkruante me Rasmus Hojlundin, i cili u ble nga Atalanta për një tarifë që mund të arrij deri në 90 milionë euro.

“Unë mendoj se ai ka një potencial të madh”, tha Ten Hag për danezin 20-vjeçar, duke shtuar se “i gjithë ekipi ishte duke pritur për një tip lojtari si Hojlund”.

Nuk ka dyshim se Unitedi kishte nevojë për më shumë gola, edhe pas edicionit të jashtëzakonshëm të Rashfordit. Unitedi ishte ekipi me më së paku gola të shënuar nga çdo ekip në gjashtëshen e parë – me 58 gola në 38 ndeshje kampionale. Ndërsa Unitedi e përshkruan Hojlundin si një nga “lojtarët më të mirë në botë për moshën e tij”, atij i është dhënë një përgjegjësi e madhe për të mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Ronaldos vitin e kaluar. Ai do të përballet me krahasime me Erling Haalandin e Cityt, pavarësisht se ata janë në faza të ndryshme të zhvillimit të tyre. Manchester Unitedi do të ketë nevojë që Hojlund të startojë furishëm për të siguruar objektivat që i munguan edicionin e kaluar.

Shtesa tjetër kyçe e Ten Hagut në ekip është mesfushori anglez Mason Mount, i cili u bashkua nga Chelsea për 70 milionë euro dhe iu dha menjëherë fanella ikonike me numrin 7, e veshur nga të mëdhenjtë e Unitedit si Ronaldo, David Beckham dhe Eric Cantona.

Transferimet verore i çojnë shpenzimet totale të Ten Hagut në 420 milionë euro në kohën e tij në “Old Trafford”. Ky shpenzim masiv shton presionin mbi Ten Hagun për ta rikthyer klubin në majën e futbollit anglez sa më shpejt.

Pep Guardiola ka shpenzuar 290 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë. Nivelet e vendosura nga City dhe Liverpooli janë ato që Ten Hag synon t’i arrijë tek Unitedi. Ten Hag ka një skuadër më të fortë dhe ai tani është mësuar me ashpërsinë e divizionit elitar të Anglisë. Ai ka angazhuar yje dhe ka një ekip që tashmë ka fituar trofe. Ta rrëzojë Cityn nga pozita e parë mund të jetë ende një pikëpyetje shumë e madhe në këtë fazë të mbretërimit të Ten Hagut. Por pritet që holandezi ta sfidojë Guardiolan si asnjëherë më parë. Edicioni 2023/24 në Premier League starton të premten, ndërsa Unitedi ndeshjen e parë e luan të hënën e ardhshme. Përballet në shtëpi me skuadrën e Wolverhamptonit.