Xherdan Shaqiri ka përjetuar emocione të mëdha gjatë karrierës si futbollist. E ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve me gjigantët e futbollit evropian - Bayernin dhe Liverpoolin. Me Zvicrën ka luajtur në ngjarje të mëdha, Botërorë e Evropianë. Ka fituar tituj në vende të ndryshme e ka shënuar supergola në stadiumet më të bukura.
Por për Shaqirin, ndeshja e së shtunës ishte prej më të veçantave. Shaqirit iu realizua edhe një ëndërr.
31-vjeçari luajti me Zvicrën kundër Kosovës, përfaqësueses së vendit të lindjes. Ndeshja kualifikuese për Evropian përfundoi baras, 2:2. Shaqiri u lind në Gjilan, ndërsa është rritur në Zvicër.
Shaqiri e ka shijuar çdo sekondë të qëndrimit në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë. Ai u largua mes duartrokitjesh nga fusha e stadiumit “Fadil Vokrri”. U zëvendësua në minutën e 84-t.
“Ka qenë një nder shumë i veçantë, sidomos që kemi ardhur në këtë stadium me një emër shumë të madh, të Fadil Vokrrit, që e kam pasur shumë të afërt dhe kam pasur shumë kontakte dhe kemi biseduar shumë shpesh. Është një nder dhe është e veçantë për mua të vij këtu dhe të luaj në vendlindjen time, ku kam shumë familjarë dhe e kam shijuar çdo sekondë”, i është përgjigjur Shaqiri pyetjes së KOHËS.
Ai nuk pati rastin të paraqitej për Kosovën. Por dëshirën e kishte. Tani ka dëshirë ta shohë Kosovën të kualifikuar në Evropian apo Botëror.
“Ata njerëz e dinë shumë mirë çfarë ka ndodhur. Kam pasur kontakte me Federatën, sidomos me Fadilin që e kam pasur shumë të afërt dhe kam pasur shumë kontakt. Kam folur edhe me trajnerin që ka qenë atëherë. Më pas erdhi Evropiani dhe u mbyll edhe ajo derë. Më pas prej atëherë nuk ka pasur shanse të luaj. Megjithatë, jam shumë krenar që luaj për Zvicrën, për të arriturat deri tash. Është diçka shumë e jashtëzakonshme. Jam duke i parë të rinjtë e Kosovës që janë shumë të mirë, janë shumë të talentuar dhe ishalla ndonjë ditë do të shkojnë në një botëror shumë të madh, në ndonjë vend të madh, për ta përfaqësuar Kosovën, për ta bërë ende më të madhe. Kanë kualitetin dhe talentin për të shkuar një ditë”, është shprehur Shaqiri.
Shaqiri thotë se ndeshja në Prishtinë u bë edhe më e veçantë për faktin se kanë pasur rastin ta shohin nga afër për herë të parë familjarët e tij.
“Shumë, shumë i kënaqur jam. Jam shumë i lumtur që kam ardhur këtu dhe kam pasur shansin për të luajtur me Zvicrën. Është një ndjenjë shumë speciale për mua dhe nuk do ta harroj kurrë. Edhe për familjen time që ka qenë këtu në stadium, prej të cilëve shumica nuk kanë arritur të më shohin drejtpërdrejt nga stadiumi. Unë kam pasur sot tezet, hallat, dajallarët, më kanë parë për herë të parë ‘live’, dhe është diçka shumë speciale për mua. Kurrë nuk do ta harroj këtë moment”.
Pasi mbaroi me përgjigjet rreth emocioneve që i dha paraqitja në stadiumin “Fadil Vokrri”, Shaqiri foli edhe për rezultatin e takimit.
“Kosova ka luajtur shumë defensiv dhe ka luajtur një për një në gjithë fushën. Por kemi mundur të krijojmë shanse dhe shkuam tutje 1:0, dhe kemi mundur ta japim edhe golin e dytë. Por përgëzime edhe për Kosovën që e ka edhe kualitetin që mund të shënojnë në çdo sekondë dhe kjo ndodh në këso ndeshjesh kur nuk je 100% i koncentruar si ekip, sidomos kundër Kosovës, kundër ekipeve të tjera. Në ditët e sotshme skuadrat kanë kualitet, ekipet e vogla janë bërë më të mira, mund të shënojnë edhe kundër skuadrave që janë fuqi shumë e madhe”, është shprehur Shaqiri.
Zëvendëskapiteni i Zvicrës, Shaqiri, nuk u nda i kënaqur me barazimin. Ai thotë se dëshira e tij është ta fitojë çdo ndeshje.
I kënaqur me barazim nuk ishte as kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka. Në konferencën për media para ndeshjes, Xhaka shpërtheu në të qeshura kur nga gazetari i KOHËS u pyet nëse do të pajohej me një barazim.
“Jo, jo. Vetëm pyetja më ka pëlqyer shumë, sepse nuk ka marrëveshje në futboll. Sidomos jo në këtë nivel ku jemi. Të dy palët besoj se kanë dashur të fitojnë. Kosova ka luajtur pak më shumë në defensivë sesa ne. Por, besoj se rezultati është 'OK' për të dyja palët”, ka thënë kapiteni i Zvicrës, Xhaka.
Edhe Xhaka tha se emocionet ishin të mëdha gjatë lojës në Prishtinë. Ai ka vlerësuar ekipin e Kosovës. Ndryshe nga Shaqiri, Xhaka ka luajtur në të kaluarën disa ndeshje revyale në Prishtinë.
“Situata ka ndërruar komplet nga koha kur kemi qenë ne. Ne nuk kemi mundur të zgjedhim Kosovën dhe nuk kemi pasur as shans për ta zgjedhur. Kemi luajtur edhe në Evropian para se të pranohej Kosova, por ka ardhur një kohë ndryshe komplet. Besoj se Kosova ka skuadër shumë të mirë por edhe të rinjtë, pse jo”, ka theksuar Xhaka.
Xhaka njihet për përgjigjet pa rezervë. Para se të përshëndetej me gazetarët shqiptarë, Xhaka dha kritikë për rezultatet e Kosovës.
“U duhet kohë, normalisht se u duhet kohë. Nuk ka shtet që menjëherë ka mundur të bëjë boom. Mos ta shohim tabelën tash. Besoj se nëse e shohim Kosovën me Andorrën, duhet ta mposhtë. Bjellorusinë duhet ta mposhtë. Por, normalisht, kritikat janë në futboll, e dinë edhe lojtarët e Kosovës se duhet t'i marrin kritikat nëse nuk e mposhtin Andorrën dhe Bjellorusinë. Por, shpresoj se me këtë lojë sot, por edhe në të ardhmen, besoj se do të ketë edhe rezultate më të mira”, tha Xhaka.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Shaqiri e Xhaka ishin shumë të zënë duke bërë fotografi, sidomos me fëmijët. Pra pos që iu gëzuan paraqitjes, u kujdesën që të gëzojnë shumë të tjerë.
Ai dhe shqiptarët e tjerë janë kthyer në Zvicër të dielën për t’u bërë gati për ndeshjen kundër Andorrës. Zvicra ndaj Andorrës luan të martën në Sion. Zvicra është e para me 11 pikë, kurse Kosova në vendin e pestë në grup me katër pikë.