Xherdan Shaqiri dhe Shkodran Mustafi janë dy futbollistët më të suksesshëm shqiptarë. Ky i fundit me Gjermaninë fitoi Kupën e Botës në vitin 2014, ndërsa Shaqiri ka fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve, garës më të madhe për klube në Evropë. Shaqiri e Mustafi janë edhe të vetmit shqiptarë që gjatë karrierës së tyre kanë luajtur në katër prej pesë ligave më të forta të futbollit evropian.
Shaqiri do ta ketë rastin të luajë edhe në elitën e futbollit të Francës pas paraqitjes në Gjermani, Itali dhe së fundi në Angli. Mesfushori Shaqiri të martën ka nisur punën te skuadra e Lyonit, ndërsa në Gjermani, Angli, Itali dhe Spanjë ka luajtur edhe Mustafi. Mbrojtësi Mustafi është ende pa klub pas largimit nga Schalke, që nuk siguroi mbetjen në Bundesligë. Ai mund të kthehet të luajë në Itali, meqë interesim për të ka shprehur Torino. Por nuk janë të vetmit shqiptarë që kanë bërë karrierë në disa prej ligave më të forta të futbollit. Në Angli, Itali, Gjermani ka luajtur edhe Valon Behrami, ndërsa Lorik Cana në Francë, Angli dhe së fundi në Itali. Valon Berisha i Kosovës ka luajtur në Gjermani, Itali përpara se t’i bashkohet Reimsit në Francë. Edhe Riza Durmishi ka luajtur në Spanjë, Itali e Francë, ndërsa Granit Xhaka në Gjermani te Borussia Moenchengladbachu dhe tani është pjesë e Arsenalit në Angli.
Shaqiri fitoi “Championsin”, me Bayernin dhe Liverpoolin
Shaqiri e nisi karrierën te Baseli, skuadër me të cilën fitoi tre tituj të kampionit dhe dy kupa të Zvicrës, ndërsa në vitin 2012 bëri hap të madh në karrierë duke u transferuar te Bayern Munichu. Me gjigantin gjerman fitoi tre tituj të kampionit, dy kupa e një Superkupë të Evropës, pastaj Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe titullin e botës për klube. Shaqiri e ka edhe një titull të kampionit me Liverpoolin, e po ashtu edhe një trofe të Ligës së Kampionëve, një Superkupë të Evropës dhe një kupë të botës për klubeve. Ka fituar edhe çmime të ndryshme individuale. Karrierë në Angli ka bërë edhe te Stoke City, ndërsa luajti në Itali për Interin.
“Jam shumë krenar dhe i lumtur, që më në fund e kam nënshkruar kontratën dhe jam zyrtarisht lojtar i Lyonit. Me padurim pres të filloj me ekipin dhe t’i takoj të gjithë. Është një stadium fantastik dhe mund ta imagjinoj kur të mbushet me tifozë. Shpresoj që mund të shënoj gola para këtyre tifozëve fantastikë. E kam ndier përkrahjen e të gjithëve. Më në fund jam këtu dhe me padurim pres të filloj punën në fushë dhe të shënoj. Gjeja më e rëndësishme është ta ndihmoj ekipin të fitojë ndeshje. Ky ekip ka potencial dhe me padurim pres të filloj të punoj dhe të jemi te suksesshëm”, ka thënë Shaqiri për faqen zyrtare të Lyonit.
29-vjeçari me origjinë nga Kosova ka luajtur 96 ndeshje për Zvicrës, shtet me të cilin mori pjesë në tri kupa të botës dhe dy kampionate evropiane. Ai është golashënuesi më i mirë i Zvicrës me 26 gola.
Kontributi i Mustafit për Gjermaninë që fitoi Kupën e Botës
Ndryshe nga Shaqiri, Mustafi ka mbetur pa klub, por në të kaluarën ka luajtur në katër prej pesë ligave më të forta. E nisi në Itali me skuadrën e Sampdorias, ku edhe u dallua. Falë paraqitjeve të mira, Mustafi pranoi ofertën e Valencias. Edhe te Valencia u tregua goxha i suksesshëm dhe pas dy vjetësh qëndrim në Spanjë, mori ofertë nga Arsenali. Tek Arsenali pati më së shumti paraqitje, por u largua në shkurt të këtij viti në drejtim të Schalkes. Me Schalken nuk pati sukses, ndërsa është në kërkim të një tjetër skuadre që është pjesë e ndonjë prej ligave më të forta evropiane. Mustafi në periudhën sa ishte pjesë e Valencias u ftua të luante për Gjermaninë në Kupën e Botës. U paraqit në tri ndeshje për Gjermaninë që fitoi Kampionatin Botëror në vitin 2014. Është edhe trofeu i fundit i madh i fituar nga Gjermania. Me një gol të shënuar për Schalken, Mustafi është golashënues në katër nga “top 5” ligat evropiane.
Behrami me më së shumti paraqitje, Cana i dyti
Ndërkohë lider për nga paraqitjet është Valon Behrami. Ai ka luajtur 337 ndeshje për klube të ndryshe të Anglisë, Italisë dhe Gjermanisë. Por ai është ende në nivel të lartë, meqë është pjesë e Genoas që garon në elitën e futbollit italian. Pas Behramit për nga paraqitjet është Lorik Cana, që është tërhequr tashmë nga futbolli aktiv. Ai ka regjistruar 325 ndeshje në Angli, Francë dhe Itali, ndërsa pas tyre vjen mesfushori Granit Xhaka me 271 ndeshje, pastaj Shkodran Mustafi me 229 dhe Xherdan Shaqiri me 196 ndeshje. Valon Berisha ka vetëm 50 ndeshje.
Mesfushori Xhaka ditë më parë e ka konfirmuar rinovimin e kontratës me skuadrën e Arsenalit, ndërsa në një intervistë për uebfaqen zyrtare të klubit ka thënë se gjatë verës ka refuzuar edhe kalimin te skuadra e Romës. Me rinovimin e kontratës Xhaka do të jetë pjesë e Arsenalit deri në verën e vitit 2024. Mesfushori është pjesë e Arsenalit prej vitit 2016, kur iu bashkua nga Borussia Moenchengladbachu, dhe aktualisht është njëri prej lojtarëve më me përvojë në klub.
“Jam shumë i lumtur që jam ende këtu. Kam firmosur kontratën e re dhe natyrisht që dua të jap gjithçka nga vetja për klubin dhe tifozët, në çdo stërvitje dhe ndeshje”, ka thënë Xhaka, 28-vjeçar.