Me ndeshjen Zurich – Sion fillon Superliga e Zvicrës në futboll. Kjo ndeshje zhvillohet sonte nga ora 20:30.
Për shkak të numrit të madh të lojtarëve shqiptarë, por edhe të shqiptarëve në Zvicër, Superliga helvetike paraqet interes të madh edhe në Kosovë.
Si rrallëherë deri më tani, të gjitha 12 skuadrat e Superligës së Zvicrës kanë në përbërje lojtarë shqiptarë. Nëse për bazë merren të dhënat zyrtare në sajtin e Ligës Zvicerane të Futbollit, numri i futbollistëve shqiptarë, përkatësisht i atyre me prejardhje shqiptare dhe me prejardhje nga Kosova, është plot 38. Shumë prej tyre janë të paraqitur me flamur të Zvicrës dhe flamur të Kosovës në sajtin zyrtar të ligës.
Në mesin e tyre ka yje dhe lojtarë me përvojë, si Xherdan Shaqiri, Albian Ajeti, Amir Abrashi, Benjamin Kololli, Ezgjan Alioski e disa të tjerë. Ka edhe plot të rinj që shpresojnë të shpërthejnë në edicionin e ri.
Natyrisht, jo të gjithë këta pritet të luajnë dhe të jenë të rëndësishëm për skuadrat e tyre. Por aktualisht janë të evidentuar si pjesë e ekipeve të para të klubeve të Superligës zvicerane.
Në Superligën e Zvicrës ka lojtarë reprezentues, që kanë luajtur dhe që pritet të luajnë edhe në të ardhmen në nivel ndërkombëtar për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Zvicrën. Nëse merren për bazë gjeneratat e reja, numri i reprezentuesve është dukshëm më i madh.

Baseli e mbron titullin e kampionit, ndërsa të evidentuar i ka katër lojtarë shqiptarë. Shqiptarët mbesin me shumë ndikim te Baseli, me gjithë pensionimin e Taulant Xhakës dhe transferimin e Leon Avdullahut në Hoffenheim të Bundesligës gjermane.
Të tjera lëvizje të lojtarëve shqiptarë pritet të ndodhin deri në fund të afatit kalimtar veror. Për shembull, Albian Hajdari pritet të kalojë nga Lugano te West Hami në Premier Leaguen e Anglisë. Shkëlqim Vladi po ashtu pritet të largohet nga kjo skuadër.
Janë tri skuadra të Superligës që i kanë të evidentuar nga pesë lojtarë shqiptarë. Bëhet fjalë për Luganon, St. Gallenin dhe Sionin. Nga katër shqiptarë, pos Baselit, i kanë të evidentuar edhe Luzerni dhe Young Boysi. Nga tre i kanë Grasshopperi e Zurichu, dy Winterthuri e nga një Lausanne, Servette dhe Thuni.
“Pasi kemi fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Zvicrës, ne jemi skuadra që duhet të mposhtemi. Dhe me këtë skuadër që kemi, jemi favoritët kryesorë”, ka thënë Xherdan Shaqiri.
Ai është bindshëm ylli më i madh i Superligës së Zvicrës. Në kampionatin e kaluar shkëlqeu dhe e udhëhoqi Baselin drejt dy trofeve.
Asnjë kampionat evropian nuk e rivalizon Zvicrën për numrin e futbollistëve shqiptarë. Kjo është si rezultat i komunitetit shumë të madh shqiptar në Zvicër dhe orientimit të familjeve shqiptare nga sporti, përkatësisht futbolli, kur bëhet fjalë për fëmijët e tyre.
Pos Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës, që janë prej futbollistëve shqiptarë më të suksesshëm në histori, nëse jo më të suksesshmit, nga Zvicra, pos për përfaqësuesen e këtij vendi, kanë dalë dhe vazhdojnë të dalin shumë reprezentues edhe për Kosovën e Shqipërinë.
Futbolli zviceran po ashtu vlerësohet si “vend i duhur” për të bërë hap të madh në karrierë, përkatësisht për transferim në top-pesë ligat evropiane.
Shaqiri, Ajeti, Alioski, Bilsimi, Fazliji, Toma, Kololli, Rrudhani, Imeri, Krasniqi, Kamberi do të përmenden shpesh gjatë javëve e muajve të ardhshëm. Por me shumë gjasë do të përmenden edhe mbiemra si Bajrami, Nivokazi, Xhemalija, Shala e plot mbiemra të tjerë shqiptarësh.
Adrian Bajrami e Ardian Bajrami
Pjesë e Superligës së Zvicrës janë edhe dy futbollistë shqiptarë me mbiemër të njëjtë e emër thuajse të njëjtë. Te Luzerni do të luajë mbrojtësi Adrian Bajrami. 23-vjeçari, që tashmë ka debutuar për Shqipërinë, është huazuar nga Benfica. Adrian Bajrami është rritur në Zvicër, ndërsa te Benfica zhvillohet prej vitit 2018.
Ardian Bajrami është portier 21-vjeçar, pjesë e Young Boysit. Ai është edhe pjesë e Kosovës U21, ndërsa do t’i duhet të luftojë për hapësirë te njëri prej klubeve kryesore në futbollin zviceran.
