Portieri shqiptar i Luganos, Amir Shaipi, pritet të mungojë në finalen e Kupës së Zvicrës kundër St. Gallenit.
Finalja ndërmjet Luganos dhe St. Gallenit luhet të dielën në orën 14:00.
Në fundjavën e kaluar, Lugano fitoi 3:1 kundër Young Boysit në Superligën e Zvicrës, por portieri shqiptar mori direkt karton të kuq pa nevojë, tre minuta para fundit të takimit.
Shaipi u dënua me dy ndeshje moslojë. Në mesjavë nuk luajti në barazimin 2:2 me Servetten. Por të mërkurën, shkruan sajti “20min”, skuadra ka dërguar kërkesë për heqjen e dënimit me dy ndeshje, gjë e cila ka pak gjasa të ndodhë.
Kështu, 21-vjeçari do të duhet ta shikojë ndeshjen më të rëndësishme të karrierës nga tribunat, shkruan mediumi zviceran.
Në rast të triumfit, Lugano do ta fitonte trofeun e parë që prej vitit 1993.
Te Lugano paraqitet edhe Kreshnik Hajrizi i Kosovës.
Betim Fazliji dhe Bastien Toma luajnë te St. Galleni.