Ishte një fund i zakonshëm për Sevillan, në një edicion të pazakontë për klubin spanjoll. Sevilla fitoi trofeun e Ligës së Evropës sërish të mërkurën pas një edicioni në të cilin kaloi ndryshimet e trajnerëve dhe iu desh të luftonte për të shmangur rënien nga liga spanjolle. Vështirësitë e ekipit u harruan shpejt me fitoren në penallti ndaj Romës në finalen e Ligës së Evropës të mërkurën në Budapest. Ky sukses i dha klubit trofeun e shtatë në garat evropiane të nivelit të dytë.
Sevilla ka vendosur rekord të ri në këtë garë, pasi ka fituar shtatë finalet e luajtura deri më tani. Ajo që dukej si kampanjë për t'u harruar u kthye në triumf pas një tjetër edicioni mbresëlënës të klubit spanjoll në Ligën e Evropës, garë ku ka dominuar vitet e fundit.
Pesë nga trofetë e Sevillas në këtë garë erdhën brenda dhjetë vjetëve të fundit – 2014, 2015, 2016, 2020 dhe 2023. Sevilla eliminoi fuqitë evropiane si Manchester Unitedin në çerekfinale dhe Juventusin në gjysmëfinale. Ndërsa në rundet e mëparshme e kishte kaluar Fenerbahçen dhe PSV Eindhovenin. Në finalen e Budapestit, Sevilla mposhti Romën e drejtuar nga Jose Mourinho, 4:1 pas penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën me rezultatin 1:1.
Kthimi i Sevillas këtë edicion erdhi pasi klubi vendosi të zëvendësojë trajnerin Jorge Sampaoli me Jose Luis Mendilibar në muajin mars. Para se të mbërrinte Mendilibar, skuadra kishte fituar vetëm dy herë në tetë ndeshje në të gjitha garat, ku kishte regjistruar pesë humbje. Që kur mori drejtimin Mendilibar, Sevilla humbi vetëm dy herë në 16 ndeshje në të gjitha garat.
“Jam i lumtur që jam këtu, që kam fituar për klubin i cili kishte një kohë të vështirë kur arrita”, tha Mendilibar. “Ne kemi bërë diçka të mirë që mund të ketë ndikim për të mirën e klubit”.
Edhe
Rekordi i Sevillas, garanci për sukses në Ligën e Evropës
Trajneri që kishte kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij me skuadrën e Eibarit, ka kontratë deri në fund të këtij muaji. Por ai pritet të qëndrojë edhe më tej në krye të Sevillas pas periudhës së suksesshme.
“Ai na ka transformuar prej se erdhi në krye të ekipit. Ky sukses është falë punës së tij”, pranoi sulmuesi i krahut i Sevillas, Jesus Navas, i vetmi lojtar nga skuadra aktuale që ishte kur Sevilla fitoi trofeun e Ligës së Evropës për herë të parë në vitin 2006.
“Ai nxori më të mirën nga ne dhe rezultati është i jashtëzakonshëm. Ai e meriton të jetë me këtë klub për një kohë të gjatë”.
Sampaoli kishte marrë përsipër drejtimin e Sevillas nga Julen Lopetegui, pas fillimit jashtëzakonisht të dobët të edicioni. Sevilla kishte përfunduar e katërta në ligë në tri edicionet e fundit, vetëm pas fuqive të La Ligas - Real Madrid, Barcelona dhe Atletico Madrid. Tani është në vendin e 11-të duke hyrë në ndeshjen e fundit të këtij edicioni, që e luan në udhëtim te Real Sociedadi të dielën. Pavarësisht rezultatit dhe përfundimit në tabelë, Sevilla edicionin tjetër do të paraqitet në Ligën e Kampionëve, falë suksesit në Ligën e Evropës.
“Është e jashtëzakonshme të luajmë në Champions dhe të jemi njëra prej pesë skuadrave nga Spanja në këtë garë edicionin e ardhshëm. Sigurisht që duruam një edicion të vështirë por që në fund përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka theksuar drejtori sportiv i Sevillas, Monchi.
Sevilla arriti deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në vitin 2018, por që nga ajo kohë ka avancuar vetëm një herë përtej fazës së grupeve.
Edhe
City kërkon trofeun e radhës, Superkupën e UEFA-s
Suksesin e arritur në Ligën e Evropës, Sevilla të enjten e ka festuar me tifozët e saj në paradën e organizuar në rrugët e qytetit. Suksesi i fundit ka motivuar krerët e klubit që të synojnë të forcohen më shumë për edicionin e ri.
“Do t’i bëjmë planet, por duhet të bëjmë lëvizje të mira për të kompletuar një ekip të fortë, i cili do të luftojë për kreun e tabelës edhe në La Liga”, shtoi Monchi.