Tenistja amerikane, Serena Williams, shpërtheu në lot dhe e ndërpreu konferencën e saj për shtyp të enjten, pas humbjes nga Naomi Osaka 6:3, 6:4 në sete, në gjysmëfinale të “Australian Open”.
Me këtë humbje, Osaka përfundimisht u dha fund përpjekjeve të Williamsit për të barazuar rekordin prej 24 Grand Slameve të fituara, që e mban Margaret Court. Williams ka 23 Grand Slame në karrierë dhe synimi i saj ishte që vitin 2021 ta startonte me sukses në “Australian Open”, duke barazuar rekordin me Courtin. Në fakt, Williams nuk ka triumfuar tashmë disa vite në “Australian Open”. Titullin e saj të fundit të madh, Williams e fitoi në vitin 2017 në “Melbourne Park” para se të bënte një pushim për lindjen e vajzës. Ajo i ka humbur katër finale të mëdha që nga kthimi i saj në tenis në vitin 2018.
39-vjeçarja u largua nga “Rod Laver Arena” me brohoritje, të cilat bënë që ajo të ndalet për një moment për të vënë dorën në zemër dhe për të përshëndetur turmën. Për Williamsin, kjo ishte hera e parë pas 18 vjetëve që u mposht në gjysmëfinale të këtij turneu.
“Turma e këtij Grand Slami gjithmonë është e mahnitshme, kështu që jam e nderuar që më përshëndeten në mënyrë aq të ngrohtë”, tha Williams para gazetarëve.
Kur u pyet se nëse eliminimi i saj në gjysmëfinale ishte lamtumira e fundit në “Australian Open”, duke aluduar në tërheqjen e saj nga tenisi, Williams me një buzëqeshje u përgjigj: “Nëse i them lamtumirë tenisit ndonjëherë, nuk do t’i tregoj askujt”.
Edhe
Osaka tërhiqet nga turneu Grand-Slam “Australian Open”
Megjithatë, buzëqeshja e amerikanes shpejt u zbeh dhe një pyetje nëse disfata e saj nga Osaka “ishte vetëm një ditë e keqe për të”, bëri që Williams të pijë një gllënjkë uji para se të dorëzohej.
“Nuk e di. Unë kam mbaruar", tha ajo, duke lënë dhomën e konferencave me lot në sy.
Para të enjtes, Williams ishte dukur në formën e saj më të mirë në vitet e fundit në këtë turne, por 24 gabimet i kushtuan shumë përballë japonezes Osaka, e cila gjithashtu e mundi amerikanen edhe në finalen e “US Open” në vitin 2018.
“Diferenca këtë herë ishte te gabimet. Sinqerisht, kisha mundësi për të fituar por thjeshtë bëra aq shumë gabime”, ishin fjalët e para të Williamsit në konferencë. “Thjeshtë ishin gabime të lehta apo më mirë të them ishte një ditë me gabime të mëdha për mua”.
Edhe japonezja Osaka, që në finale të “Australian Open” do të luaj kundër amerikanes tjetër, Jannifer Brady, reagoi pas veprimit të Williamsit në konferencë. Osaka, e cila gjithmonë ka folur me admirim për Serenan, ka pranuar se bisedat për pensionimin e tenistes amerikane nga tenisi e kanë mërzitur shumë.
“Unë dua që Serena të vazhdoj të luaj përgjithmonë. Unë e admiroj Serenan dhe gjithmonë kur përballem me të jam e nderuar. Thjeshtë, secilin meç me të e kam në kujtimet më të mira”, tha Osaka.
Nuk ishte vetëm Osaka që reagoi. Edhe numri një i botës te meshkujt, Novak Gjokoviq që po ndjek rekordin e të gjitha kohërave të Roger Federerit e Rafael Nadalit me 20 tituj Grand Slam, pranoi se është ndier shumë keq kur e ka parë zhgënjimin e Williamsit që e konsideron si një legjendë të këtij sporti.
“Serena është një kampione e mahnitshme. Ajo ka bërë shumë gjëra të mëdha për tenisin dhe po vazhdon të bëjë akoma përkundër moshës së saj. Thjeshtë, është e jashtëzakonshme”, tha Gjokoviq që ka 17 Grand Slama të fituar në karrierë. “Ajo është njëra prej më të mirave ndonjëherë dhe këtu nuk ka dyshim. Nuk është më e mira në tenis por në gjithë botën e sportit. Kështu që jam krenar që luaj në kohën e saj”.
Edhe
Ish-kampionia Osaka nuk do të marrë pjesë në “Australian Open”
Mats Wilander që ka fituar shtatë Grand Slame dhe tani punon si analist i tenisit në rrjetin televiziv “Eurosport”, tha se lotët e Williamsit ishin thjeshtë një zhgënjim i madh i saj.
“Për të, kjo është një humbje më e madhe. Edhe pse po luan mirë ende nuk është afër Osakas. Williams tani ka filluar të mendoj me të vërtetë nëse karriera e saj ka përfunduar”, tha ai.