Lionel Scaloni do ta vazhdojë punën e tij si trajner i Argjentinës. Scaloni do të mbetet në krye të Argjentinës deri në fund të vitit 2026, ku do ta udhëheqë ekipin në Botërorin që do të mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada. Kështu ka njoftuar të martën kreu i Federatës së Futbollit të Argjentinës, Claudio Tapia.
Ai ka thënë se suksesi i Scalonit në Katar automatikisht do t’ia vazhdojë punën si selektor i Argjentinës edhe për katër vjet të tjera me kontratën e re. 44-vjeçarit, kontrata me Argjentinën i skadon në fund të këtij muaji, por së shpejti gjithçka do të bëhet zyrtare firmosja e kontratës së re.
“Nuk kam dyshim për këtë, pasi Scaloni do ta vazhdojë punën e trajnerit deri në vitin 2026”, ka thënë Tapia.
Scaloni u emërua trajner i përkohshëm i Argjentinën në vitin 2018, përpara se të firmosë kontratë deri në fund të këtij viti. Krahas titullit të botës, Argjentina me Scalonin ka triumfuar edhe në Copa America vitin e shkuar.