Sport

Rritja e madhe e Ballkanit, skuadra që prezanton Kosovën në Champions

ballkani, sport, futboll

Edicioni 2017/18 i Superligës së Kosovës në futboll u zhvillua pa Ballkanin pjesë e elitës. Ballkani i Suharekës luante në Ligën e Parë dhe siguroi promovimin për edicionin vijues, 2018/19. Pakkush jashtë klubit mund të ketë parashikuar në verën e vitit 2018 se Ballkani shpejt do të bëhej forcë e futbollit kosovar. Se do të bëhej skuadra që e përfaqëson vendin në Ligën e Kampionëve.

Rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Ballkanit u kompletua të dielën, kur kjo skuadër e festoi titullin e kampionit të Kosovës në futboll. Është i pari në histori të klubit. Ballkani si klub është themeluar në vitin 1947 dhe nuk vlerësohet prej klubeve të mëdha të vendit, nëse për bazë merren tradita dhe sukseset. Por aktualisht e ka fjalën kryesore.

Në edicionin 2018/19, Ballkani mezi i shpëtoi barazhit. U rendit i teti, që ishte pozita e fundit mbi “zonën barazh”.

Doli të jetë edicion i konsolidimit në Superligë. Në edicionin 2019/20, Ballkani u rendit i treti. Madje kishte vetëm një pikë më pak se Drita e Gjilani që u renditën në pozitat një e dy. Edhe në edicionin 2020/2021, Ballkani mbeti i treti. I mblodhi 74 pikë, katër më pak se Prishtina, që doli kampione. Drita ishte në mes me 76 pikë.

Drita është e dyta edhe këtë edicion, 2021/2022. Por është Ballkani që ka bërë rritjen e madhe duke dalë në pozitën e parë. Madje me epërsi bindëse ndaj përcjellëve. Ballkani e fitoi titullin me 76 pikë nga 36 ndeshje. Drita është e dyta me 64 e Gjilani i treti me 62.

Dhe Ballkani, klub që deri vonë i takonte kategorisë së dytë, do ta prezantojë vendin në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Stabiliteti financiar vlerësohet se qëndron “prapa” rritjes së madhe të Ballkanit. Stabilitetin e solli kryetari Arsim Kabashi, që investon shumë në klub.

Rritjes së klubit i kanë kontribuar edhe lojtarët gjithnjë e më cilësorë të angazhuar e po ashtu trajnerët që punuan në këtë klub. Pas shfaqjes së aspiratave të mëdha, te Ballkani punuan trajnerë si Bekim Shotani, Sami Sermaxhaj, Gani Sejdiu, Ismet Munishi, Bekim Isufi e Ilir Daja. Është Daja që e kurorëzoi me titull rritjen e klubit. Dhe ai që do ta drejtojë Ballkanin në sfidat evropiane.

“Do të them që përderisa ka 75 vjet që është themeluar ky klub, ka një identitet, kanë punuar shumë breza për ta mbajtur këtë klub deri në ditët e sotme që të gjithë bashkë të festojmë për këtë arritje historike, titullin kampion të Kosovës. Një element kryesor është se futbolli luhet për tifozët, për ata që e mbështesin, që janë gjithë qytetarët e Suharekës”, ka thënë Daja pas ndeshjes me Gjilanin. Ballkani fitoi 2:0 ndeshjen me rivalin më të madh për titull të kampionit. Dhe e fitoi titullin me stil.

“Kënaqësia më e madhe është që një rrugëtim të tillë arritëm ta mbyllim me fitore ndaj Gjilanit. Kjo fitore është për gjithë qytetin, çdo tifoz të Suharekës dhe në veçanti për tifozët ‘Xhebrailat’”, ka shtuar Daja.

Një klub që vetëm pesë vjet më parë nuk dallonte nga klubet “e vogla” të futbollit në vend, tani do të luajë në kualifikimet e garës elitare. Për këtë sukses të mahnitshëm, e gjithë Suhareka ka festuar të dielën deri në orët e vona.