Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, thuajse e ka lënë prapa lëndimin në nyjën e këmbës së djathtë, që e mbajti jashtë fushës për dy muaj. Rrahmani ndihet i gatshëm për t’u kthyer në fushë pas lëndimit, që e pësoi në ndeshjen kundër Andorrës, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Ai pret ta ndihmojë ekipin e Rapidit të Bukureshtit me gola të rëndësishëm.
“Rikuperimi ka shkuar jashtëzakonisht mirë. Jam 100 për qind gati për t'iu bashkuar skuadrës në përgatitje që nga dita e parë. Dhe më 19 janar të bëj kthimin pas lëndimit dhe pse jo të vazhdoj aty ku e lash, duke ndihmuar me gola ekipin sërish”, ka thënë Rrahmani për KOHËN të dielën pas ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Rrahmani fitoi çmimin e golashënuesit më të mirë të Kosovës, për gola sa ishte pjesë e Ballkanit.
Sulmuesi 23-vjeçar iu bashkua Rapidit në gusht nga Ballkani për 600 mijë euro. Ai e nisi mbarë edicionin duke shënuar gjashtë gola, në po aq ndeshje në Superligën rumune. Kontribuoi edhe me dy asistime. Por më pas u lëndua.
Ai uron që ta vazhdojë aty ku e la. Pra, duke shënuar sa më shumë gola për Rapidin.
Motiv për t’u kthyer më i fuqishëm, Rrahmani thotë se është çmimi që mori të dielën mbrëma. Megjithatë, Rrahmani përkundër suksesit me Ballkanin, nuk zuri vend në 11-shen e vitit. Përzgjedhja e 11-shes u bë nga trajnerët e Superligës.
Rrahmani i është mirënjohës trajnerit të Ballkanit, Ilir Daja. Për Dajën thotë se ia ndërroi jetën.
“Ky çmim më jep shumë motiv dhe shpresoj të kthehem në fushën e blertë ashtu siç më ka hije, duke shënuar gola për ekipin e po ashtu edhe në fazat tjera. Po ashtu shpresoj të kthehem 100 % dhe të jem gati me shëndetin tim. E falënderoj gjithë familjen time. Kam nderin dhe krenarinë të pranoj këtë çmim dhe po ashtu të gjithë bashkëlojtarët e mi me të cilët kam luajtur këtu në Kosovë me klubin FC Ballkani dhe në veçanti trajnerin Ilir Daja që po mos të ishte ai besoj që edhe ne lojtarët nuk do ta kishim bërë këtë hap shumë të madh, hap i cili na ka ndryshuar edhe jetën”, ka thënë Rrahmani.
Së fundit ekipit rumun iu bashkua sulmuesi i krahut, Florent Hasani. Hasani u transferua nga Tirana, ndërsa Rrahmani pret të bëhen tandem i fortë në sulm.
“Florenti ka ardhur dhe i dëshiroj mirëseardhje e po ashtu suksese me fanellën e klubit. Florenti është lojtar kualitativ dhe shpresoj të na ndihmoj dhe ta bëjmë një sulm ashtu siç na ka hije neve shqiptarëve”, ka thënë Rrahmani.
Në Rumani, te Cluji, luajnë Ermal Krasniqi dhe Arlind Ajeti.