Albion Rrahmani refuzoi të flasë shumë për edicionin e kaluar.
Nuk luajti shumë, ishte i shqetësuar, pyeste veten se çfarë kishte bërë gabim.
“Kisha prekur fundin”, thekson sulmuesi Albion Rrahmani.
Por edicioni i dytë te Sparta Praga, që pagoi pesë milionë euro për të, nisi me një pamje krejtësisht tjetër. Ai ka shënuar tetë gola në 15 ndeshje në të gjitha garat. Pesë gola i ka shënuar në kampionatin çek dhe tre në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Rrahmani ka edhe një asistim në ndeshje kampionale.
“Dallimi është si dita me natë, jam më i fortë në kokë”, tha futbollisti 25-vjeçar në një intervistë për “iSport”.
Rrahmani duket modest. Kur mbërriti për intervistë në qendrën stërvitore në Strahov, ua shtrëngoi dorën të gjithëve dhe buzëqeshi. Pranoi se vetëm pak fjalë mund t’i flasë në gjuhën çeke.
“Është gjuhë e vështirë”, tha futbollisti nga Podujeva, i cili u rrit së bashku me dy vëllezër më të mëdhenj dhe një motër.
Megjithatë, ai ia doli mbanë me një anglishte shumë të mirë. Foli për besimin, marrëdhënien e tij me të atin, ëndrrën e tij të madhe me Spartën dhe përfaqësuesen e Kosovës.
“Dua të kualifikohem në Kampionatin Evropian ose Botëror”, tha Rrahmani.
Për Kosovën në 17 ndeshje ka shënuar gjashtë gola. Vlerësohet e ardhmja e sulmit të Kosovës.
Në fillim të intervistës Rrahmani tregoi në detaje për nofkën “Lewandowski i Malishevës”.
“Filloi me një komentator, i cili pas golit tim nisi të bërtiste në komentim ‘Lewandowski i Malishevës’. Dhe askush më nuk u ndal. U përhap. Sot shokët e mi të ekipit përfaqësues dhe miqtë më quajnë kështu. Madje u përhap edhe në Rumani”.
Ai pranon se i pëlqen nofka dhe krahasimi me sulmuesin polak të Barcelonës, Robert Lewandowski.
Rrahmani foli edhe për stilin e realizimit të golave. Thotë se gjuajtjet drejt portës i ka mësuar duke punuar me babin e tij, Dritonin.
Rrahmani ka shënuar shumë gola nga distanca me një gjuajtje që duket sikur penallti. Në shikim të parë duket e komplikuar. Por Rrahmani thotë se puna pas stërvitjes i ka ndihmuar shumë.
“Kërkon teknikë. Kjo është arsyeja pse shpesh qëndroj në fushë me trajnerët dhe djemtë pas stërvitjes dhe organizojmë gara të ndryshme me gjuajtje. Më detyron të jem i përqendruar dhe shumë i saktë”, ka thënë ai.
Rrahmani në Kosovë ka luajtur për të rinjtë e Llapit, pastaj për Minatorin, Bashkimin, Malishevën dhe Ballkanin. Nga Ballkani në vitin 2023 ishte transferuar te Rapid Bukureshti. Shkëlqimi në Rumani bëri që ekipi Spartës ta blinte për një shumë rekorde.