Albion Rrahmani ka kontribuar me gol të dielën në fitoren 3:0 të Sparta Pragës. Skuadra e madhe nga Praga fitoi në udhëtim ndaj Zlinit, në kuadër të xhiros së 21-të të kampionatit elitar të Çekisë.
Reprezentuesi i Kosovës e shënoi golin e parë në ndeshje, në minutën e 65-të. Luajti deri në minutën e 78-të dhe ishte prej më të dalluarve.
Te Sparta Praga e vlerësojnë Rrahmanin, njëjtë si në futbollin çek.
Por qëndrimi i tifozëve të Spartës vazhdon të jetë i pakuptueshëm dhe larg realitetit. Dhe kontributi që jep Rrahmani për skuadrën duket se nuk ka pasur ndonjë ndikim. Tifozët e Sparta Pragës, apo një pjesë e tyre, kanë qëndrim pro-serb dhe anti-Kosovë e anti-shqiptar.
Edhe në ndeshjen në Zlin ata shfaqën një flamur anti-Kosovë. Bëhet fjalë për flamur me hartë të Kosovës, anash të cilit janë ngjyrat e flamurit të Serbisë. Mbi hartën e Kosovës është shkruar “nuk ka dorëzim”, në gjuhën serbe.
Rrahmani nuk është lojtari i vetëm i Kosovës që luan në klube që kanë tifozë me qëndrime anti-Kosovë. Ka edhe klube tjera, sidomos në Rumani e Poloni, me tifozë me qëndrime anti-shqiptare.
Rrahmani, ndërkohë, është i kënaqur që po e gjen formën. 25-vjeçari i ka tetë gola e një asistim këtë edicion. I ka 21 paraqitje. Në edicionin e kaluar, që ishte i pari te Sparta, i shënoi vetëm pesë gola në 23 paraqitje.
“Nuk është lehtë të luhet në udhëtim, sidomos në këtë fushë. Jemi munduar të bëjmë më të mirën. Kemi bërë punën në pjesën e dytë. Shënuam tre gola, mbajtëm portën e paprekur dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Rrahmani për sajtin zyrtar të klubit çek. Golin e fundit ai e kishte shënuar më 11 dhjetor.
“Pjesa e parë ishte e vështirë. Ne po mundohemi të luajmë brenda zonës. Jam munduar të qëndroj sa më shumë aty. Ende nuk jam në formën më të mirë. Kam performuar në pjesën e dytë. Jam i lumtur që kam ndihmuar ekipin, lojtarët, për të fituar tri pikë dhe të ecim para. Jam shumë i lumtur që kam bërë punën time, kam shënuar një gol dhe kam ndihmuar ekipin”, ka theksuar reprezentuesi i Kosovës.
Sparta është e dyta në kampionatin e Çekisë me 44 pikë. Slavia udhëheq në tabelë me 49 pikë. Slavia e Sparta janë klube rivale nga i njëjti qytet.