Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, do të mbetet pjesë e skuadrës së Napolit edhe për një periudhë të gjatë. Bëhet e ditur se gjatë javës së ardhshme do të zyrtarizohet rinovimi i kontratës aktuale të Rrahmanit me ekipin italian, e cila i skadon në verën e vitit 2024. “Sport Italia” raporton të martën se marrëveshja mes palëve tashmë është arritur dhe javën e ardhshme do të finalizohet gjithçka. Me rinovimin e kontratës Rrahmani do të qëndrojë te Napoli deri në vitin 2027. Ai vlerësohet si njëri prej lojtarëve kyç në ekip dhe për këtë arsye do të jetë i pari që klubi do t’ia rinovojë kontratën për t’i siguruar shërbimet e tij edhe për katër vjetët e ardhshëm.
“Amir Rrahmani është gati për ta rinovuar kontratën me Napolin. Mbrojtësi kosovar që po shkëlqen këtë sezon me Spalletin do ta rinovojë kontratën që i skadon në vitin 2024 deri në vitin 2027. Javën tjetër agjenti i Rrahmanit do të takohet me drejtorin sportiv të Napolit për t’i finalizuar të gjitha detajet”, ka shkruar sajti italian të mërkurën.
Rrahmani është kthyer fuqishëm në fillim të këtij viti pas lëndimit që e pësoi në tetor të vitit të shkuar dhe konsiderohet lider i mbrojtjes nga trajneri Luciano Spalletti. Ai deri më tani ka regjistruar 16 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa ka shënuar një gol në kampionat në 13 ndeshje të luajtura. Rrahmani me Napolin po marshojnë këtë edicion drejt titullit të kampionit në Serie A, i cili do të jetë i pari për ekipin napolitan që nga viti 1980. Në total, Napoli ka fituar dy tituj të kampionit, ndërsa ky do të jetë i treti në historinë e klubit. Pas 20 ndeshjeve të zhvilluara në kampionat, Napoli është arratisur në krye të tabelës me 53 pikë, 13 më shumë se përcjellësi më i afërt, Interi. Në fakt, Napoli ka vetëm një humbje këtë edicion që ia shkaktoi Interi, ndërsa ka regjistruar edhe 17 fitore karshi dy barazimeve. Javën e kaluar Rrahmani në një intervistë për mediumet italiane pranoi se mund ta fitojnë titullin e kampionit, por shtoi se po shkojnë ndeshje pas ndeshjeje. Ai gjithashtu, tha se krahas titullit, Napoli po synon të paktën të avancojë deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pasi tashmë e ka kaluar fazën e grupeve. Në 1/8 e finales, Napoli do të përballet me Eintracht Frankfurtin. Ndeshja e parë luhet më 21 shkurt në Gjermani, ndërsa ajo e kthimit pas tri javësh në Itali. Rrahmani iu bashkua Napolit nga Verona në verën e vitit 2020 për 14 milionë euro dhe brenda një periudhe arriti të bëhet ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit. Ai prej vitit 2016 është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe deri më tani ka regjistruar 48 paraqitje dhe ka realizuar 6 gola me “Dardanët”.