Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, e ka vazhduar kontratën me kampionin e Italisë, Napolin. Me kontratën e re, mbrojtësi i qendrës do të jetë te napolitanët deri në vitin 2029.
Kështu ka mësuar të mërkurën KOHA nga burime të afërta me lojtarin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Amiri e ka vazhduar kontratën deri në vitin 2029 me Napolin. Zyrtarizmi nga klubi do të bëhet në ditët në vijim. Por marrëveshja tashmë është arritur, firma është vendosur dhe ai është i lumtur. Ka pasur oferta nga Arabia Saudite, Turqia dhe klube të Premier Leagues angleze. Por dëshira e tij ishte të mbetet te Napoli”, ka thënë burimi i KOHËS.
Në Itali është raportuar se me kontratë të re, Rrahmani do t’i fitojë 3.8 milionë euro në vit.
Bisedimet për vazhdimin e kontratës ndërmjet Rrahmanit dhe Napolit kishin nisur nga vera e vitit të kaluar.
Prej klubeve të interesuara ishte edhe Tottenhami. Por prishtinasi i qëndroi besnik Napolit.
Rrahmani zuri vend në ekipin më të mirë të Serie A në edicionin e kaluar, 2024/2025. Ai e udhëhoqi mbrojtjen e Napolit që e fitoi titullin e kampionit të Italisë.
Dhe vazhdon të jetë pjesë vendimtare e repartit defanziv të kësaj skuadre.
Napoli sërish është në garë për titull të kampionit në Itali.
Një pjesë të zhvillimit si lojtar, Rrahmani e ka bërë në Kosovë. Ka luajtur për Kosovën e Prishtinës, Ramiz Sadikun dhe Drenicën. Pas periudhës në Kosovë, vazhdoi karrierën në Shqipëri te Partizani i Tiranës. Në Kroaci ishte te Spliti e Dinamo Zagrebi, ndërsa një periudhë ishte i huazuar te Lokomotiva e Zagrebit.
Para se t’i bashkohej Napolit në vitin 2020, 31-vjeçari luajti shkurt në Hellas Verona. Me Napolin e fitoi titullin edhe në edicionin 2022/2023, ndërsa në fund të vitit të kaluar fitoi Superkupën e Italisë. Ishte prej më të mirëve në finale.
Dy tituj i ka fituar edhe me Dinamon në Kroaci.
Së fundi Amir Rrahmani e fitoi çmimin “Fadil Vokrri”, që i ndahet lojtarit më të mirë të përfaqësueses së Kosovës.
Rrahmani merr rregullisht lëvdata nga trajneri Antonio Conte. Edhe mediumet italiane e shfaqin kosovarin si shtyllë të Napolit.
Në fundjavë shënoi golin e parë këtë edicion me fanellën e Napolit. Ai ka luajtur dhjetë ndeshje deri tash. Por i mungoi ekipit në dhjetë ndeshje për shkak të lëndimit muskulor në duelin e Kosovës ndaj Zvicrës.
Ishte mungesë e madhe për Napolin e po ashtu Kosovën, me të cilën në mars do të ketë ndeshje shumë të rëndësishme.
Më 26 mars Kosova luan kundër Sllovakisë në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Rrahmani do ta udhëheqë si kapiten Kosovën në atë sfidë historike.