Pasi ka siguruar shërbimet e Houssem Aouarit si lojtar i lirë, Roma pritet ta transferojë edhe një mesfushor tjetër falas gjatë afatit kalimtar të verës.
Bëhet fjalë për belgun Youri Tielemans, të cilit i skadon kontrata muajin e ardhshëm me skuadrën e Leicester Cityt. “Calciomercato” ka shkruar të martën se Roma tashmë ka siguruar shërbimet e Tielemansit, me të cilin ka arritur marrëveshjen, që do ta bëjë zyrtare së shpejti.
Tielemans ka refuzuar ofertat e skuadrave të tjera për Romën, pasi dëshiron të punojë me trajnerin Jose Mourinho.
26-vjeçari me Romën do të firmosë kontratë katërvjeçare dhe shihet si përforcim i duhur për mesfushën. Ai është pjesë e Leicesterit prej vitit 2019, ndërsa këtë edicion në Premier League ka 3 gola e 1 asistim në 30 paraqitje.