Mesfushori i Anglisë, Declan Rice do të mbetet pjesë e West Ham Unitedit edhe për sezonin e ri, ka njoftuar “The Sun” të martën. Bëhet e ditur se edhe Rice është pajtuar të qëndrojë te West Hami, pasi klubi londinez nuk po i ul kërkesat për kartonin e tij.
Për ta lënë të lirë Ricen, West Hami po kërkon të paktën 150 milionë euro, shumë kjo shumë e lartë për skuadrat e interesuara në mesfushorin. 23-vjeçari ka kontratë me West Hamin deri në vitin 2024, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.
Sezonin e fundit, Rice shënoi katër gola dhe asistoi po aq herë në të gjitha garat. Interesim për Ricen ka kohë që kanë shprehur Manchester City, Manchester Unitedi e Chelsea.