Charlotte Hornets – Boston Celtics 87:90
Jayson Tatum dhe Shane Larkin realizuan nga 16-të pikë secili dhe Boston Celtics
arriti të shënojë fitore edhe pa yllin e skuadrës Kyrie Irving, ndaj skuadrës Charlotte Hornets 90:87, duke shënuar njëherësh edhe fitoren e 11-të rresht.
Terry Rozier pati 15-të pikë, shtatë kërcime e katër asistime, dhe luajti rol tejet të rëndësishëm në zëvendësimin e Irving, i cili e la skuadrën që në çerekun e parë, për shkak se pësoi goditje në fytyrë, pikërisht nga qendra dhe bashkëlojtari i tij, Aron Baynes.
Indiana Pacers – Chicago Bulls 105:87
Victor Oladipo shënoi 25 pikë në fitoren që Indiana Pacers e arriti përballë Chicago Bulls, 105:87, për ta ndalur serinë e katër ndeshjeve pa fitore.
Kroati Bojan Bogdanoviq arriti të shënojë gjashtë herë nga vija për tre pikë dhe pati 22 pikë për Pacers, duke dhënë ndihmë të madhe në fitoren e gjashtë sezonale. Nga ana tjetër, “Demat” assesi të këndellen këtë sezon, pasi për ta kjo ishte humbja e tetë e sezonit, derisa kanë arritur vetëm dy fitore. Bobby Portis pati lojë të mirë me 20 pikë e 11 kërcime, por që nuk i ndihmuan Chicagos ta shmangë humbjen edhe në këtë përballje.
Milwaukee Bucks – San Antonio Spurs 94:87
Milwaukee Bucks e shënoi fitoren e 5-të sezonale, por me një dyshe si Giannis Antetokounmpo dhe Eric Bledsoe, shihen si rreziku më i madh për kundërshtarët, pasi ishte pikërisht kjo dyshe që pati lojë tejet të mirë në fitoren 94:87 në shtëpi te San Antonio Spurs. Në “AT&T Center”, Bledsoe e përfundoi ndeshjen me 13-të pikë, shtatë asistime dhe katër kërcime në ndeshjen e tij të parë që prej ardhjes nga Phoenix Suns, kur u transferua të martën. Në përfundimin e serisë prej katër humbjeve rresht, ndihmë të madhe dha edhe Antetokounmpo që shënoi dyshifor të dyfishtë prej 28 pikëve e 12 kërcimeve. Spurs pa Kawhy Leonard që vazhdon të jetë i lënduar nuk pati fuqi të bënte diçka më shumë, ndërsa 20 pikët e 12 kërcimet e LaMarcus Aldrdige mbetën vetëm për statistika.
L.A Clippers – Oklahoma City Thunder 111:120
Shkëlqen Paul George, dhe kjo ishte ajo çfarë prisnin tifozët e Oklahoma City Thunder. George realizoi plot 42 pikë dhe OKC e ndali serinë e katër ndeshjeve pa fitore, duke e mposhtur me rezultat 120:11, skuadrën Los Angeles Clippers.
Kjo ishte paraqitja më e mirë mbi parket për Paul George që prej ardhjes së tij në Oklahoma nga Indiana Pacers. Ndërkohë, ndihmë të madhe në fitore dha edhe Russell Westbrook që shtoi 22 pikë të tjera dhe tetë asistime. Te kalifornianët u dallua Lou Williams me 35 pikë, ndërsa Blake Griffin shtoi 17 sosh, por të pamjaftueshme për ta shmangur humbjen e gjashtë të sezonit.