Sport

Reyna u përball me përjashtim nga SHBA-ja

Giovanni Reyna ishte gati të përjashtohej nga përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trajneri Gregg Berhalter konfirmoi se ishte pothuajse ta dërgonte një lojtar në shtëpi, por nuk e përmendi emrin e tij. Megjithatë disa mediumet amerikane raportuan se bëhej fjalë për lojtarin 20-vjeçar të Borussia Dortmundit.

“Në këtë Botëror të fundit, ne patëm një lojtar që nuk i përmbushi pritshmëritë brenda dhe jashtë fushës. Si staf, ne u ulëm së bashku për orë të tëra dhe mendonim se çfarë të bënim me këtë lojtar. Ne ishim gati të rezervonim një biletë avioni për në shtëpi”, tha Berhalter në një konferencë për media.

Në raportimet e mediumeve amerikane, Reyna ishte pranë largimit nga përfaqësuesja për sjellje të pakëndshme në stërvitje. Edhe pse kërkoi falje, Reyna luajti vetëm një rol mbështetës për ekipin amerikan në Kupën e Botës, i cili u eliminua nga Holanda në 1/8 e finales të Kupës së Botës.