Mesfushori kosovar, Blendi Idrizi ka firmosur me skuadrën e madhe gjermane, Schalke. Në fakt Idrizi ka qenë te Schalke edhe deri më tani, por me kontratë te skuadra e dytë. Kurse të hënën ka firmosur për dy vjet me skuadrën e parë të Schalkes, që do të luajë në Bundesliga 2 edicionin e ardhshëm.
Idrizi ishte shquar në xhirot e fundit te Schalke, kur fitoi rastin që të paraqitej në tri ndeshje në Bundesligë. Ndërkohë u ftua nga Kosova dhe po ashtu shkëlqeu. E ka vendin thuajse të sigurt për shtator.
“Kur shansi ishte aty, Blendi Idrizi ishte aty për ta marrë atë. Ai ka treguar se ka potencial për ta ndihmuar ekipin tonë me kualitetin dhe shkathtësinë që ka”, ka thënë drejtori sportiv i Schalkes, Rouven Schroeder. “Blendi është ende në fillim të rrugëtimit të tij dhe duhet të mbetet i uritur dhe i vendosur për të mësuar që të bëjë hapin e ardhshëm në karrierë”.
Idrizi është më se i lumtur për kontratën.
“Jam falënderues ndaj të gjithëve në Schalke që kanë treguar besim te unë. Do të bëj çdo gjë të mundur për ta shpaguar besimin e klubit me paraqitje të mira”, ka thënë Idrizi.
Ai i ishte bashkuar ekipit U23 të Schalkes në janar të vitit të kaluar nga Fortuna Koeln. Ka shënuar tetë gola dhe ka bërë tetë asistime në 36 ndeshje në kategorinë e katërt gjermane. Në Bundesligë luajti tri ndeshjet e fundit të edicionit dhe realizoi gol ndaj Eintracht Frankfurtit.