Milot Rashica shënoi një gol për Galatasarayn në minutën e 55-të në raundin e tretë të Kupës së Turqisë. Ndërsa devijimi i gjuajtjes së tij në minutën e 27-të ishte tjetër gol ku ai dha kontribut.
Galatasaray të mërkurën në mbrëmje fitoi në rrethin e tretë të Kupës kundër Kastamonusporit me rezultatin e thellë, 7:0. Në përgjithësi u vlerësua pozitive paraqitja e futbollistit të Kosovës qëkur u transferua në Turqi. I lumtur me paraqitjen është shprehur edhe vetë futbollisti i krahut. Por, mbi të gjitha, është i lumtur për fitoren e skuadrës së tij të re.
“Ishte ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Ishte gjë e mirë që fituam ndryshe. Kemi kthyer në gola shumë mundësi që i kishim. Ne do të mund të shënonim edhe më shumë gola, por ishte një ndeshje ku mund të nxjerrim gjëra pozitive”, tha Rashica pas ndeshjes. Rashica për herë të parë luajti si titullar me fanellën “kuqeverdh”. Ai u huazua në fillim të shtatorit nga skuadra e Norwichit. Por, nuk pati rastin të luante nga fillimi në tri ndeshje në elitën e futbollit të Turqisë. Ndaj Konyasporit ishte në bankën rezervë. Ndaj Kasimpashas luajti shtatë minuta, kundër Adana Demirsporit u inkuadrua për një minutë, ndërsa kundër Kayserisporit luajti në gjithë pjesën e dytë. “Jam shumë i lumtur që luajta nga fillimi. Jam i lumtur me golin po ashtu. Jam shumë i lumtur që shënova në prani të tifozëve tonë, por prioritet është që të fitojë ekipi. Kemi kthyer mundësitë në gola por kemi mundur të bënim më shumë”, ka vazhduar tutje Rashica. “Ishte ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Ishte bukur që fituam me shifra të larta”, përfundoi 26-vjeçari. Ndeshja e radhës për Galatasarayn do të jetë në kuadër të xhiros së 11-të në elitën e futbollit të Turqisë. Galatasaray do të ballafaqohet me Alanyasporin.