Atleti Muhamet Ramadani po vazhdon me rezultate të mira. Ai të dielën, sipas njoftimit të Federatës së Atletikës së Kosovës, ka vendosur rekord të Kosovës në hedhje të gjyles. Në një garë të mbajtur në Tivar, Ramadani ka pasur hedhjen më të mirë prej 18.72 metra.
Rezultatin më të mirë deri më tani 19-vjeçari e kishte 18.60 metra. Për rekordin ka njoftuar edhe trajneri i atletit premtues, Shaban Ramadani. “Sot në Mitingun Ndërkombëtar të mbajtur në Tivar, arritëm të plasohemi në vendin e tretë.
Me një rezultat shumë të mirë i cili tani është edhe rekord i Kosovës, 18.72 metra, që sjell 1044 pikë të IAAF”, ka shkruar Shaban Ramadani, që është edhe babai i atletit Muhamet Ramadani. Në fundjavë rekord të Kosovës ka vendosur edhe Gresa Bakraçi në vrapimin 1500 metra. Ajo në Split, të shtunën, kishte kohë prej 4:22.03 minuta.