Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ramadani beson në kualifikim

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Taip Ramadani, beson se përfaqësuesja do të jetë e suksesshme në turneun e raundit të parë kualifikues për Botërorin e vitit 2021.

Kosova prej 10 deri më 12 janar do të luajë në Itali, ndërsa përballë do t’i ketë Italinë, Rumaninë e Gjeorgjinë. Vetëm fituesi i grupit kalon tutje. Ramadani të mërkurën shpalli listën, kurse më 27 dhjetor nis përgatitjet, shkruan Koha Ditore.

“Kemi një synim në Itali, të kalojmë në fazën e dytë kualifikuese. Kemi ekip cilësor që gjithnjë është në ngritje. Më nuk duhet të kënaqemi vetëm me paraqitje dinjitoze. Duhet të jemi ambiciozë, të luftojmë të barabartë me çdo ekip dhe të besojmë në aftësitë tona”, ka thënë Ramadani. Ai është i kënaqur edhe me lojtarët që do të ketë nën urdhra e po ashtu me konkurrencën e krijuar për një vend në përfaqësuese.

“Seleksionimi i këtij ekipi ka qenë ndër më të vështirët deri më tani. Ka konkurrencë të madhe në të gjitha pozitat”, ka shtuar Ramadani. Kosova gjatë këtij viti barazoi me Poloninë, ndërsa mposhti Izraelin. Janë këto rezultatet më të mira deri më tash.

Artikuj të ngjashëm