Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (femrat) do të paraqitet me mungesa të rëndësishme në ndeshjet e fazës së parë kualifikuese për botërorin e këtij viti. Por, te Kosova premtojnë maksimumin të premten dhe të shtunën, kur edhe do t’i luajnë dy ndeshjet e fazës së parë të Botërorit 2021. Kosova të premten përballet ndaj shtetit organizator të kësaj faze, Austrisë, ndërsa të shtunën ndaj Italisë. Të dyja takimet i zhvillon nga ora 12:00. Përzgjedhësi i Kosovës, Agron Shabani, insiston se mungesa e disa lojtareve të rëndësishme shkaku i situatës me koronavirus në disa shtete ku luajnë do të ndihet. Por, ai thotë se motivin e kanë të madh për paraqitje të mirë. Ai shpreson në rezultate pozitive dhe pret angazhim maksimal të lojtareve.
“Kemi disa lojtare që ka kohë që nuk po i zhvillojnë garat në ligat e tyre. Po pauzojnë shkaku i situatës me koronavirus. Megjithatë, të gjitha vajzat të cilat janë prezentë janë të motivuara për të dhënë maksimumin. Kemi fillimisht ndeshjen kundër Austrisë favorite, por nuk do të dorëzohemi lehtë. Shpresoj të tregojmë lojë të mirë, megjithëse duhet të kursehemi edhe për ndeshjen e dytë kundër Italisë, ku shpresojmë në një rezultat të mirë”, ka thënë Shabani të enjten për KOHËN.
Shabani është ndihmuar nga Faruk Shala e Valbona Rudaku gjatë grumbullimit për disa ditë në Istog. Pjesë e grumbullimit për herë të parë ishin edhe hendbollistet Kristina Ukaj dhe Yllka Shatri. Ndërsa, grupit të vjetër të lojtareve të Kosovës është Albina Rugova. Edhe Rugova thotë se do ta japin maksimumin për paraqitje dinjitoze ndaj Austrisë dhe Italisë.
“Na presin dy ndeshje të vështira me kundërshtare cilësore. Jemi munduar të përgatitemi dhe kemi dhënë më të mirën në stërvitje. Jemi të përkushtuara për të dhënë më të mirën dhe për të luftuar për fanellën e Kosovës. Por, nuk do të jetë fare lehtë, aq më tepër që kemi shumë mungesa dhe një pjesë e lojtareve nuk kanë luajtur për kohë të gjatë. Gjithashtu kemi disa lojtare të reja dhe dihet që për komponim kërkohet kohë më e gjatë”, ka thënë Rugova.
Hendbollistet ditë më parë kanë mësuar edhe kundërshtaret e fazës së parë kualifikuese për Evropianin 2022. Kosova do të garojë në Grupi A së bashku me Portugalinë, Luksemburgun e Qipron. Gjithsej në fazën e parë kualifikuese marrin pjesë 11 përfaqësuese, të ndara në tri grupe. Fituesi i grupit avancon në kualifikimet e rregullta, dhe ky natyrisht mbetet synim i hendbollisteve të Kosovës. Ndeshjet e fazës së parë kualifikuese për “Euro 2022” do të zhvillohen prej 31 majit deri më 6 qershor.
Ndërsa kualifikimet e rregullta fillojnë në tetor të këtij viti. Ndeshjet e grupit të Kosovës pritet të luhen në Portugali. “Euro 2022” mbahet në Slloveni, Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi, në dhjetor të vitit të ardhshëm.