Sport

Qeveria spanjolle do të dalë kundër Barcelonës për çështjen e pagesave

Autoriteti më i lartë sportiv i qeverisë spanjolle do të ndërmarrë veprime kundër Barcelonës lidhur me procedurat ligjore me të cilat po përballet klubi për pagesat prej miliona dollarësh përgjatë disa vjetëve ndaj një kompanie që i përket nënpresidentit të komitetit të arbitrave të vendit, tha një zyrtar të hënën.

Jose Manuel Franco, president i Këshillit sportiv të Spanjës, tha në kanalin “Telecinco” se qeveria do t'u bashkohet palëve të tjera që akuzojnë klubin.

Këshilli është i fundit që njoftoi për planet për të vepruar pasi prokurorët të premten akuzuan zyrtarisht Barcelonën për korrupsion, mashtrim dhe falsifikimin e dokumentacionit. Edhe Real Madridi njoftoi pas një takimi urgjent të bordit të dielën se do të dalë kundër rivalit më të madh duke u bërë klubi i fundit që shpreh shqetësimet për rastin.

Liga spanjolle dhe Federata spanjolle e futbollit gjithashtu planifikojnë të veprojnë kundër Barçës në këtë çështje. Barcelona ka qenë nën vëzhgim qëkur pagesat për nënpresidentin e komitetit të arbitrave u bënë publike muajin e kaluar. Barcelona ka mohuar çdo veprim të kundërligjshëm ose konflikt interesi, duke thënë se ka paguar vetëm për raportet teknike të gjyqtarëve, por asnjëherë nuk është përpjekur të ndikojë në vendimet e tyre në ndeshje. Presidenti i klubit, Joan Laporta, ka insistuar edhe një herë se Barcelona është “e pafajshme për akuzat” dhe është “viktimë e një fushate, e cila tani përfshin të gjithë, për të dëmtuar nderin e klubit”.

Ai tha se “shumë do të detyrohen të korrigjohen ndaj klubit kur të vërtetohet pafajësia e tij”. Prokurorët thanë se dokumentet e gjykatës kanë konfirmuar se pagesat nga ana e klubit arritën deri në 7.3 milionë euro nga viti 2001 deri në vitin 2018. Ata shtuan se kjo “shumë e parave nuk ishte e justifikuar, sepse nuk ishte e parashikuar në statutin e klubit dhe as nuk ishte miratuar nga asambleja e përgjithshme e tij”. Deri më tani nuk ka asnjë provë që gjyqtarët apo rezultatet e ndeshjeve janë ndikuar në të vërtetë gjatë periudhës në të cilën Barcelona ka bërë pagesat.

Barcelona e mbajti epërsinë e saj në ligën spanjolle prej nëntë pikëve ndaj Real Madridit të dielën mbrëma duke e mposhtur Athletic Bilbaon me rezultatin 1:0. Megjithatë, fitorja e Barçës në këtë ndeshje ishte e diskutueshme, pasi goli i barazimit që u shënua nga Bilbao u anulua pas rishikimit të sistemit VAR me arsyetimin për një prekje të diskutueshme me dorë.