Real Madridi do të dalë kundër Barcelonës në procedurat ligjore me të cilat rivali nga La Liga po përballet për pagesat prej miliona eurosh përgjatë disa viteve ndaj një kompanie që i përket nënpresidentit të komitetit të arbitrave të futbollit të Spanjës, ka njoftuar klubi nga Madridi të dielën pas një takimi urgjent të bordit. Vendimi erdhi dy ditë pasi prokurorët akuzuan zyrtarisht Barcelonën për korrupsion në sport, mashtrim dhe falsifikimin e dokumentacionit.
“Real Madrid dëshiron të shprehë shqetësimin e tij maksimal në lidhje me peshën e fakteve dhe rithekson besimin e tij në sistemin ligjor”, tha Real Madridi në një deklaratë pas mbledhjes së bordit.
“Klubi ka rënë dakord që, në mbrojtje të të drejtave të tij legjitime, do të paraqitet në gjyq kur gjyqtari t'ia hapë atë palëve të prekura”. Kjo ishte hera e parë që Real Madridi reagoi zyrtarisht për këtë çështje. Klubet e tjera kishin shprehur tashmë shqetësimet e tyre për pagesat e Barcelonës, siç bëri liga spanjolle dhe federata e futbollit. Liga gjithashtu ka planifikikuar të ndërmarrë veprime kundër Barcelonës në procedurat ligjore. Barcelona ka qenë nën vëzhgim që kur pagesat për zyrtarin e komitetit u bënë publike muajin e kaluar. Pagesat fillimisht dyshoheshin si pjesë e një hetimi tatimor ndaj kompanisë. Barcelona ka mohuar vazhdimisht se ka bërë diçka të jashtëligjshme apo ka pasur konflikt interesi, duke thënë se ka paguar për raportet teknike të gjyqtarëve, por kurrë nuk është përpjekur të ndikojë në vendimet e tyre në ndeshje. Prokurorët thanë, bazuar në dokumentet se pagesat nga klubi shkuan deri në 7.3 milionë euro nga 2001 deri më 2018. Ata shtuan se kjo “sasi parash nuk ishte e justifikuar sepse nuk ishte e parashikuar në statutin e klubit dhe as miratuar nga asambleja e përgjithshme e tij”.
Prokurorët pretenduan se ish-zëvendëspresidenti i komitetit të arbitrave, Josë Maria Enriquez Negreira, “në këmbim të parave, duhej të kryente akte që synonin të favorizonin klubin në procesin e vendimmarrjes së gjyqtarëve në ndeshjet e luajtura nga Barcelona dhe në rezultatet e garës”.
Deri më tani nuk ka asnjë provë që gjyqtarët apo rezultatet e ndeshjeve janë ndikuar në të vërtetë.