Policia spanjolle bastisi zyrat e federatës së futbollit të enjten, si pjesë e një hetimi për pagesën e miliona eurove gjatë disa viteve nga Barcelona ndaj një ish-zëvendëspresidenti të komitetit të arbitrave të Spanjës. “Guardia Civil” konfirmoi se policia e saj kishte kontrolluar zyrat e komitetit të arbitrave në selinë e federatës afër Madridit. Policia tha se nuk kishte bërë asnjë arrestim dhe po vepronte me urdhër të gjyqtarit Joaquin Aguirre, i cili po heton çështjen për një gjykatë në Barcelonë. Në mars, prokurorët e shtetit akuzuan zyrtarisht Barcelonën për korrupsion në sport, mashtrim dhe falsifikim të dokumentacionit.
Prokurorët thanë se klubi i pagoi Jose Maria Enriquez Negreira, një ish-arbitër, i cili ishte pjesë e komitetit të arbitrave të federatës (1994-2018), 7.3 milionë euro nga viti 2001 deri në vitin 2018. Gjithashtu të enjten, gjyqtari Aguirre shtoi zyrtarisht një akuzë të re në hetim, duke thënë se ka indikacione se ryshfeti ka ndodhur midis Barcelonës dhe Negreiras. Akuza për ryshfet zëvendëson akuzën e mëparshme për korrupsion në sport. Pagesat fillimisht u hetuan si pjesë e një hetimi tatimor ndaj një kompanie të drejtuar nga Negreira. Barcelona ka mohuar çdo akuzë ndaj saj ose konflikt interesi, duke thënë se ka paguar për raportet teknike për gjyqtarët, por asnjëherë nuk është përpjekur të ndikojë në vendimet e tyre në ndeshje. Akuzat janë kundër Barcelonës, Negreiras, ish-presidentëve të Barcelonës, Sandro Rosell dhe Josep Maria Bartomeu, dhe ish-drejtuesve të Barcelonës, Oscar Grau dhe Albert Soler. Nëse Barcelona shpallet fajtore për ryshfet, gjyqtari do të ketë një sërë opsionesh të hapura për t’i dënuar. Dënimet mund të variojnë nga një paralajmërim, në një gjobë, në një pezullim nga garat, deri në shpërbërjen e klubit. Kjo e fundit duket shumë e pamundur, por një pezullim nga aktiviteti ose një gjobë do të ishte më e mundshme. Të dyja mund të kenë pasoja të rënda për Barcelonën. Për më tepër, UEFA ka të ngjarë të ndërmarrë veprime nëse shpallet fajtore, gjë që gjithashtu ka të ngjarë ta pezullojë Barcelonën nga garat evropiane për një sezon. Kjo do ta godiste sërish Barcelonën financiarisht, dhe në aspektin e prestigjit dhe atraktivitetit për lojtarët. Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka deklaruar se nëse do të ishte në pushtetin e tij, ai do të ishte në favor që Barcelona të binte nga La Liga ose t'i hiqeshin pikë, nëse do të shpallej fajtore për ryshfet.
“Duhet të shoh argumentin në lidhje me akuzën e Barcelonës për ryshfet. Ryshfeti është kur një krim kryhet kundër një zyrtari publik”, ka thënë Tebas
La Liga ka ofruar prova për këtë çështje, por Tebas mendon se klubet e tjera, të cilat janë pjesë e saj si palë të dëmtuara, nuk kanë bërë asgjë tjetër për të ndihmuar çështjen.
“Nuk është përgjegjësia jonë, por mendoj se është një masë e duhur heqja e pikëve. Duhet të kemi një sistem zbritjeje pikësh, jemi nga të paktat vende që nuk e kemi atë masë”, tha Tebas. “Ka indikacione për pagesa totalisht të parregullta që nuk duhej t'i ishin bërë zëvendëspresidentit të arbitrave. Do të duhet të sqarohet nëse ky ishte qëllimi”.
Marrja e raporteve për gjyqtarët është praktikë e zakonshme në Spanjë dhe klubet mund të paguajnë kompanitë e tjera ose t'i përgatisin vetë, siç bën Barcelona tani. Por pagimi i shumave të mëdha parash për një person të përfshirë në drejtimin e gjyqtarëve të Spanjës për raporte nuk është një praktikë normale. Bastisjet vijnë pasi federata është tronditur nga një skandal seksizmi pasi ish-presidenti i saj, Luis Rubiales, puthi në buzë një lojtare pa pëlqimin e saj gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve në Kupës së Botës muajin e kaluar. Në Spanjë, një gjyqtar hetues kryen hetimin fillestar për një krim të mundshëm për të përcaktuar nëse ai duhet të shkojë në gjyq, të cilin më pas mbikëqyr një gjyqtar tjetër.
Ndërkohë, trajneri Xavi Hernandez ka refuzuar të komentojë mbi raportet se Barcelona është akuzuar për ryshfet nga prokurori publik spanjoll.
“Nuk do të përgjigjem për këtë. Ju e dini tashmë mendimin tim”, ka thënë shkurt Xavi.