Publicisti Fatos Lubonja ka thënë se Shqipëria është në një sistem parti-shtet dhe se Edi Rama si kryeministër ka ndërtuar sistem në të cilin nuk mund të rrëzohet.
Në “Interaktiv” të KTV-së të premten, dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit, Lubonja ka thënë që nga ardhja e Edi Ramës në pushtet më 2013, me kalimin e kohës ka marrë fund hapësira e konfliktit të dy partive më të mëdha dhe se ai ka arritur t’i dobësojë e eliminojë kundërshtarët. Lubonja ka thënë se Shqipëria po rrëshqet në autoritarizëm.
“Sot jemi në një parti-shtet. Dhe që s’ka mend ta lërë pushtetin sepse e gjithë puna që Edi Rama ka bërë gjatë këtyre viteve ka qenë pikërisht dobësimi, eliminimi i kundërshtarëve”, ka thënë Lubonja.
Lubonja ka deklaruar se Shqipëria nuk e ka kaluar testin e rotacioneve të pushteteve që nga vitet e ’90-ta. Tek ka kujtuar një thënie që për shtete si Shqipëria test i demokracisë është kalimi i tri rotacioneve pa kontestim, Lubonja ka thënë se kjo nuk është arritur në Shqipëri. Ai ka thënë se as në këto zgjedhje nuk do të vijë rotacioni i tretë.
“Teoria ime është se ne kemi pasur binomin (Rama-Berisha) bashkë me Ilir Metën si ‘kingmaker’, që dikur e quajta shtyllë të sistemit në kuptimin negativ sepse sistemi ishte korrupsioni, e Iliri kalonte njëherë andej e njëherë këndej. Të dyja partitë të korruptuara, por kur ishin në opozitë akuzonin njëra-tjetrën për korrupsion e rotacioni bëhej sepse populli ndihej se po ndëshkon të korruptuarin më të madh. Pas 2013-s, ky sistem - i cili sipas mendimit tim lejonte shumë më tepër mundësi për parti të reja, sepse dilnin sepse kishte më shumë hapësira nga konflikti i dy partive të mëdha dhe mediat ishin më të lira sepse ishin me të dyja partitë - ka marrë fund në Shqipëri”, ka thënë Lubonja.
Lubonja e ka vlerësuar të gabuar edhe qasjen e partive të reja më të vogla që kanë hyrë në garë. Sipas tij, të gjitha ato është dashur të bashkoheshin në një bllok opozitar.
“Edi Rama jo Sali Berishën por këdo që ka si kundërshtar dhe që e rrezikon do ta eliminojë me sistemin që ka ndërtuar, dhe që kontrollon gjithçka. Dua rotacion, dua që këto parti të fitojnë, por kam frikë se Edi Rama do të marrë më shumë se që ka marrë”, ka thënë ai.